Franca kritikon kryeministrin sllovak pasi mori pjesë në festimet ruse, ministri francez: Një udhëheqës europian nuk mund të jetë në Moskë

09/05/2025 11:14

Franca kritikoi praninë e kryeministrit sllovak, Robert Fico në Moskë për të marrë pjesë në ngjarjet që shënojnë 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste.

“Nuk është e përshtatshme që një udhëheqës europian të jetë në Moskë sot”, tha Benjamin Haddad, ministri francez përgjegjës për Evropën.

Robert Fico është i vetmi udhëheqës i një shteti anëtar të BE-së që do të marrë pjesë në ngjarjet në Moskë. Megjithatë, kur u pyet për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj udhëheqësit sllovak, ministri francez theksoi se “çdo shtet është sovran, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se përballë Rusisë, e cila po lufton kundër Ukrainës, në çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, shtetet anëtare të BE-së kanë arritur “gjatë tre viteve të fundit, madje së bashku me Sllovakinë ose Hungarinë” të “rinovojnë çdo gjashtë muaj sanksionet” që i vendosin Moskës.

“Ne kemi arritur të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe të mbajmë një dialog të përhershëm me të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ministri francez përshëndeti gjithashtu nënshkrimin e një traktati miqësie me Poloninë, një partner që sipas tij, e kanë lënë pak pas dore.

“Ky traktat përfaqëson një hap të madh përpara në marrëdhëniet midis Francës dhe Polonisë, i cili do të na lejojë të thellojmë lidhjet tona në nivelin institucional dhe politik, në nivelin ekonomik, në infrastrukturën e mbrojtjes, me një vend që është në ballë të kërcënimit rus dhe luan një rol të rëndësishëm në Evropë”, tha ministri francez.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta