Fiks Fare/ Banorët e Lenies në Gramsh në protestë: Punimet për hidrocentralet na lanë pa rrugë dhe ujë!

09/05/2025 22:04

Banorët e fshatit Lenie në Gramsh, kanë ngritur shqetësimin e tyre në emisionin investigativ “Fiks Fare”, për dëmet e shkaktuara nga ndërtimi i dy hidrocentraleve në zonë.

Ata pretendojnë se firma ndërtuese ka dëmtuar rëndë rrugën kryesore të fshatit për shkak të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë.

Sipas banorëve, kompania kishte premtuar se rruga do të rikthehej në gjendjen e mëparshme  pas përfundimit të punimeve, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Përveç dëmtimit të rrugës, një tjetër shqetësim i madh është mungesa e ujit të pijshëm në një pjesë të fshatit, si dhe probleme të tjera të natyrës infrastrukturore dhe mjedisore.

Megjithëse banorët janë ankuar disa herë pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë marrë përgjigje apo zgjidhje, gjë që i ka detyruar të protestojnë dy herë. Protestat janë konsideruar të paligjshme nga autoritetet, pasi nuk është bërë njoftim zyrtar paraprak.

Në një telefonatë për Fiks Fare, administratori i Njësisë Administrative Lenie, z. Artin Bici, konfirmoi se është në dijeni të situatës problematike dhe sqaroi se ndërhyrjet në rrugë pritet të nisin brenda pak ditësh. Ai shtoi se ndjekja e çështjes i është deleguar nënkryetarit të Bashkisë Gramsh dhe se ekziston një marrëveshje me firmën ndërtuese për të rregulluar dëmet e shkaktuara gjatë punimeve.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Besion Ajazi, shprehet se është informuar për problematikën dhe ka pasur takime me banorët e Lenies.

Ai tha se banorët kanë paraqitur një listë me 12 kërkesa, të cilat i janë përcjellë edhe firmës.

Sipas tij, edhe pse ende nuk ka një kontratë të miratuar me vulë noteriale, ajo pritet të formalizohet shumë shpejt. Ajazi shtoi se rruga është e gjatë, rreth 20 km dhe për shkak të kostos së lartë është e pamundur të shtrohet me asfalt, por është mirëmbajtur me zhavorr.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta