
Gjatë mandatit të dytë të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, familja e tij është mbajtur jashtë jetës së përditshme presidenciale.
Shefja e stafit e zgjedhur nga presidenti, Susie Wiles, ia ka bërë të qartë Trump-it se për të kaluar nga drejtuesi i fushatës zgjedhore në udhëheqës institucional në Uashington – çështjet personale duhet të mbeten në Mar-a-Lago ose në Kullën Trump në Nju Jork.
Zonja e Parë, Melania Trump, është përjashtuar dukshëm nga rrethi i ngushtë i bashkëshortit të saj në këtë mandat të dytë. Kjo nuk është për shkak të marrëdhënieve të saj me stafin presidencial, por sepse në Shtetet e Bashkuara, roli i Zonjës së Parë mbetet kryesisht institucional dhe i ndarë nga vendimmarrja politike.
Nga 108 ditët e para të Donald Trump në Zyrën Ovale gjatë mandatit të tij të dytë, raportimet nga mediat amerikane tregojnë se Melania Trump ka qenë fizikisht e pranishme në Uashington vetëm për 19 prej tyre.
Në një intervistë dhënë më 20 janar, menjëherë pas inaugurimit, ajo u përpoq të ruante një qëndrim të paqartë: “Do të jem në Shtëpinë e Bardhë, do të jem në Nju Jork, do të jem në Mar-a-Lago, do të jem kudo që të më duhet të jem,” tha ajo.
Shfaqja e saj e fundit publike në kryeqytet ishte një ceremoni për dhurimin e një pulle postare kushtuar Barbara Bush-it. Edhe për ditëlindjen e saj të 55-të, që përkoi me kthimin e çiftit presidencial nga Roma pas funeralit të Papa Françeskut, Melania zgjodhi të mos udhëtonte drejt Uashingtonit me bashkëshortin. Me një puthje në faqe, ajo u largua në drejtim të panjohur.
Zonja e Parë mungon edhe në Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë – vendi ku tradicionalisht ndodhen zyrat e saj dhe ku koordinohen detyrimet institucionale. Ajo vazhdon të ketë staf të përzgjedhur që kryen funksionet zyrtare, por pjesëmarrja e saj personale ka qenë minimale.
Në disa raste, është vetë presidenti Trump që ka marrë pjesë në aktivitete që zakonisht i takojnë Zonjës së Parë. Në një rast, ai surprizoi një grup vizitorësh në Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë, duke marrë përsipër rolin ceremonial që më parë mbahej nga bashkëshortja e tij.
Në mandatin e tij të parë, Melania Trump gjithashtu nuk ishte gjithmonë pranë Presidentit, por në atë kohë justifikimi ishte roli i saj si nënë. Djali i saj, Barron, ishte ende i vogël, dhe ajo kishte deklaruar se i jepte përparësi përkujdesjes ndaj tij. Sot, Barron është 19 vjeç dhe ndjek studimet në Universitetin e Nju Jorkut.
Distanca e Melania Trump nga Shtëpia e Bardhë duket më e thellë këtë herë. Tabloidët amerikanë dhe britanikë kanë raportuar se ajo po shmang qëndrimin në Mar-a-Lago dhe po kalon më shumë kohë në Nju Jork – edhe pse nuk është e qartë për sa kohë apo me çfarë qëllimi.
Sipas Washington Post, marrëdhënia mes saj dhe presidentit është “e paqëndrueshme”. Melania thuhet se është thellësisht e mërzitur për çështjet ligjore të Donald Trump, veçanërisht skandalin me Stormy Daniels dhe proceset gjyqësore në të cilat ai është përfshirë. Megjithatë, atentati ndaj tij ka pasur ndikim emocional tek ajo dhe duket se e ka nxitur të shfaqë një lloj mbështetjeje të heshtur.
Në vend të ekspozimit publik të shpeshtë, Melania ka zgjedhur një rrugë më të heshtur, por jo më pak domethënëse. Ajo thuhet se ka nënshkruar një kontratë të jashtëzakonshme me Amazon për prodhimin e një dokumentari mbi jetën e saj – një marrëveshje që, sipas mediave amerikane, kap vlerën e mbi 40 milionë dollarëve. Kjo është shuma më e lartë e paguar ndonjëherë për një dokumentar mbi një Zonjë të Parë.
Ende nuk dihet nëse xhirimet kanë nisur apo se kur do të transmetohet dokumentari. Amazon ka refuzuar të japë informacione, duke shtuar më tej misterin që rrethon figurën gjithnjë e më të tërhequr të Melania Trump.
Top Channel