Parolin, Pizzaballa, Zuppi: Çfarë do të ndodhë me tre kardinalët italianë që konsideroheshin favoritë për t’u bërë Papë?

09/05/2025 16:32

Zgjedhja e Papa Leoni XIV, amerikanit Robert Francis Prevost, shënoi një moment historik për Kishën Katolike, por njëkohësisht zhgënjyes për shumë italianë që shpresonin në rikthimin e një pape vendas pas gati pesë dekadash.

Tre kardinalët italianë më të përfolur – Pietro Parolin, Pierbattista Pizzaballa dhe Matteo Maria Zuppi – hynë në Konklavë si favoritë, por dolën prej saj pa fronin e Shën Pjetrit. Tani, pyetja që shtrohet është: çfarë do të ndodhë me ta?

Pietro Parolin: Humbës i madh, por jo i përjashtuar

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, konsiderohej kandidati kryesor për papatin. Por edhe këtë herë u konfirmua aksioma se “kush hyn në Konklavë si Papë, del prej saj kardinal”. Pavarësisht se nisi me një numër votash të konsiderueshëm, Parolin nuk arriti të fitojë mbështetjen e nevojshme për të siguruar shumicën. Marrëveshja e diskutueshme me Kinën për emërimin e peshkopëve, e cila është shpërfillur nga autoritetet kineze, ndoshta e ka dëmtuar figurën e tij te shumë kolegë kardinalë.

Sipas burimeve të brendshme, vetë Parolin kuptoi shpejt që nuk do të fitonte dhe vendosi të mbështesë Prevostin, duke ndihmuar kështu në konsolidimin e votave në raundin e katërt të votimit. Gjest ky që, mesa duket, u shpërblye: Papa i ri e zgjodhi Parolinin të ishte pranë tij gjatë përshëndetjes së parë publike nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit. Në këtë fazë, ai pritet të qëndrojë në postin e tij si Sekretar i Shtetit, një pozicion kyç në administratën e Vatikanit.

Pierbattista Pizzaballa: Rikthim në një Jerusalem që ka ende nevojë për të

Patriarku latin i Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa, shihej si një kandidat kompromisi – i aftë të përfaqësonte të dy krahët e Kishës, konservatorët dhe progresistët. Por me gjithë diplomacinë dhe eksperiencën e tij në një zonë të trazuar si Lindja e Mesme, Pizzaballa nuk arriti të ngjitet në fronin papnor. Ndoshta edhe për faktin se, në këtë moment historik, largimi i tij nga Jerusalemi do të përfaqësonte një boshllëk të madh për Kishën në atë rajon.

Me kthimin në Tokën e Shenjtë, ai pritet të vazhdojë punën e tij në një nga detyrat më delikate të Kishës Katolike, sidomos në kushtet e tensioneve të vazhdueshme mes Izraelit dhe palestinezëve.

Matteo Zuppi: Misioni i bashkimit të kishës italiane vazhdon

Kardinali Matteo Maria Zuppi, president i Konferencës Episkopale Italiane dhe figurë e respektuar për qasjen e tij përfshirëse dhe sociale, nuk arriti të bindte një Konklavë që kërkonte më shumë neutralitet. Megjithë përkrahjen nga media ndërkombëtare dhe komunitete progresiste, përfshirë vlerësimin nga New York Times për mbështetjen ndaj botës LGBTQ, Zuppi u pa si një figurë shumë “e pozicionuar” për kardinalët më konservatorë.

Tani, ai kthehet në krye të Konferencës Episkopale Italiane me një mision të qartë: të bashkojë një kler italian të përçarë, veçanërisht për çështje morale. Dhe ndoshta të përgatisë terrenin për një kandidaturë më të fortë italiane në të ardhmen.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta