“SPAK ka nisur hetimet, Nuredin Seci ka ç’aktivizuar kontaktet”, kompania lobuese në SHBA flet për Associated Press: Po lobojmë për non-gratën e Berishës

08/05/2025 16:50

Disa nga arkitektët e fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar në Shqipëri, ndërsa përpiqen të ndihmojnë një kandidat të ngjashëm me Trumpin të fitojë në zgjedhjet e fundjavës.

Ata përfshijnë Chris LaCivita, i cili shërbeu si bashkëmenaxher i fushatës së suksesshme të Trump në vitin 2024, sondazhistin e vjetër të Trump, Tony Fabrizio, dhe Paul Manafort, i cili ishte drejtues i fushatës së Trump në vitin 2016 përpara se të dënohej në vitin 2018 për krime që përfshinin lobim të fshehtë për ish-presidentin pro-rus të Ukrainës.

Treshja po punon për ish-kryeministrin dhe presidentin Sali Berisha, kreun e Partisë Demokratike në opozitë në Shqipëri, i cili po sfidon Kryeministrin Edi Rama për të rikthyer demokratët në pushtet, edhe pse ai është në pritje të gjykimit për akuza për korrupsion.

“Është e vetmja Parti Demokratike për të cilën do të mendoja ndonjëherë të punoja,” tha me humor LaCivita ndërsa shkonte për herë të tretë në Shqipëri para zgjedhjeve të së dielës.

Berisha, i cili shpreson që administrata e re të anulojë sanksionet që e ndalojnë hyrjen e tij në SHBA, ka nënshkruar gjithashtu një kontratë dyvjeçare prej 6 milionë dollarësh me kompaninë këshillimore dhe lobuese republikane Continental Strategy. Stafi i saj përfshin Katie Wiles, vajza e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, e cila së bashku me LaCivita udhëhoqi fushatën e Trump. Katie Wiles nuk është e përfshirë në punën me këtë klient.

Konsultimi me vende të huaja ka qenë prej kohësh një mënyrë popullore për strategët amerikanë të të dyja partive për të gjeneruar të ardhura në periudhat ndërmjet zgjedhjeve. Por vendimi i Berishës për të mbështetur figurat e Trumpit — dhe për të nxjerrë në pah përfshirjen e tyre — tregon qartë se sa të vlefshëm mund të jenë ata për kandidatët që përpiqen të shfrytëzojnë ndjenjat populiste dhe të përsërisin ngritjen e Trumpit. Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, të jesh i lidhur ngushtë me SHBA-në dhe drejtuesit e saj shihet gjithashtu si një përparësi e madhe.

Rama ka lidhjet e tij me aleatë të Trumpit. Në dhjetor, kabineti i Ramës miratoi hyrjen në negociata me Atlantic Incubation Partners LLC, në pronësi të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e vogël të Sazanit.

Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë së Kushnerit statusin e investitorit strategjik për një periudhë 10-vjeçare.

Ka më shumë në lojë sesa vetëm një fitore elektorale

Gjatë gjithë fushatës, Berisha është paraqitur si një figurë e ngjashme me Trumpin dhe viktimë e një komploti politik, për të cilin fajëson pjesërisht miliarderin amerikan George Soros, një mbështetës i kauzave liberale në mbarë botën dhe armik i kahershëm i konservatorëve.

Ai e nisi fushatën me premtimin për të “Bërë Shqipërinë të Madhe Përsëri”, por më pas u detyrua të ndryshojë sloganin për shkak të shqetësimeve se mund të keqinterpretohej si një referencë për “Shqipërinë e Madhe” dhe të shkaktonte përplasje në Ballkanin Perëndimor për shkak të frikës që disa vende fqinje kanë për ekspansionizmin shqiptar.

Fushata tani premton ta bëjë Shqipërinë “madhështore”: “madheshtore” në vend të “e madhe”.

Ashtu si Trump, edhe Berisha ka kapelen e tij karakteristike të fushatës — një kapele blu me numrin 1, që përfaqëson renditjen e Partisë Demokratike në fletën e votimit.

Ndërsa zgjedhjet e fundit në Kanada dhe Australi kanë treguar fuqinë e një reagimi kundër kandidatëve që konsiderohen shumë të afërt me Trumpin, në vende të tjera ato lidhje kanë qenë një përparësi e madhe. Në Argjentinë, Javier Milei erdhi në pushtet me sloganin “Bëjmë Argjentinën të Madhe Përsëri” dhe me stil të ngjashëm me Trumpin.

Dhe në El Salvador, presidenti Nayib Bukele është bërë një nga aleatët më të fortë të Trumpit, duke rënë dakord të strehojë të deportuarit nga SHBA në burgun famëkeq për terrorizëm në vendin e tij.

 

A do të sjellin konsulentët e rinj një fitore të shumëpritur?

Partia e Berishës e paraqet punësimin e stafit të fushatës së Trump-it si një arritje të madhe. Sipas tyre, amerikanët kanë punuar në të gjitha aspektet e fushatës, nga strategjia deri te mesazhet dhe komunikimi me publikun.

LaCivita “drejtoi një nga fushatat më spektakolare në historinë politike, duke bërë president një politikan që kishte të gjithë kundër: kompanitë mediatike, agjencitë e sondazheve, OJQ-të, etj. Në një farë mase, situata është e njëjtë me opozitën dhe liderin e saj këtu në Shqipëri,” thuhet në një përgjigje me shkrim nga partia, për pyetjet e Associated Press.

Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Republikanët amerikanë janë “aleatë natyralë,” shtuan ata, pasi të dy janë “kundër kulturës ‘woke’ dhe mbështesin familjen dhe tregun e lirë gjithashtu.”

LaCivita është shfaqur në postime të mediave sociale të Partisë Demokratike dhe ka marrë pjesë në disa aktivitete brenda dhe jashtë vendit, përfshirë një miting ku doli në skenë nën ritmet e këngës “YMCA” nga Village People, kënga karakteristike e largimit të Trump nga skena.

“Kush është gati ta bëjë Shqipërinë të madhe përsëri?” shpërtheu ai teksa hapi fjalimin — pavarësisht shqetësimeve për referencën ndaj “Shqipërisë së Madhe.” (Herë të tjera ai përdor “Ta bëjmë Shqipërinë madhështore.”)

Rama, lideri i Partisë Socialiste, e quan me përçmim Berishën një “buf moçali” dhe kritikon shpesh përfshirjen e amerikanëve, me LaCivitën që është paraqitur edhe në një spot negativ.

Demokratët nuk kanë bërë të ditur se sa paguhet LaCivita, por kanë deklaruar se “pagesa e tij është bërë në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore, këtu në Shqipëri dhe në Amerikë,” dhe se kontrata do të bëhet publike në një moment të mëvonshëm.

LaCivita ka theksuar se paguhet vetëm për të këshilluar partinë dhe se nuk po bën lobim pranë zyrtarëve në SHBA.

Për Manafort, ata thanë se është pjesë e ekipit të LaCivitës si “mik dhe bashkëpunëtor, dhe ka qenë në Tiranë në këtë cilësi.”

Manafort u akuzua në vitin 2017 nga ekipi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për, ndër të tjera, fshehjen nga qeveria amerikane të një pune të mirëpaguar lobimi politik që kishte bërë në emër të një partie pro-ruse në Ukrainë. Ai u dënua për disa krime financiare dhe u burgos, por në fund u fal nga Trump.

Punësimi i një kompanie lobimi, me qëllim heqjen e statusit ‘non grata’ për Berishën

Përveç ndihmës në fushatë, në fund të prillit Demokratët nënshkruan një kontratë lobimi prej 250,000 dollarësh në muaj me kompaninë amerikane Continental Strategy, për t’i ndihmuar të krijojnë marrëdhënie në degët ekzekutive dhe legjislative të SHBA-së, si dhe për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reforma qeveritare, sipas një deklarimi të firmës në Departamentin e Drejtësisë në SHBA sipas Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Firma drejtohet nga Carlos Trujillo, një aleat i hershëm i Trump, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Organizatën e Shteteve Amerikane gjatë mandatit të parë të Trump, dhe që Partia Demokratike e Shqipërisë e ka cilësuar si “avokatin e Presidentit Trump dhe një antikomunist të vendosur në qëndrimin e tij!” Trujillo po punon në kontratë së bashku me partnerin menaxhues të firmës, Alberto Martinez, i cili ka qenë shef i stafit të senatorit Marco Rubio, tani Sekretar i Shtetit.

Kjo marrëveshje ka ngritur shqetësime në Shqipëri dhe ka shkaktuar një hetim nga SPAK, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Firma po paguhet nga “Fondacioni Bëje Shqipërinë të Madhe Përsëri,” një organizatë jofitimprurëse e krijuar së fundmi nga Nuredin Seci, një kontraktor shqiptaro-amerikan nga Nju Xhersi, me fonde që supozohet se janë mbledhur nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

Seci nuk iu përgjigj pyetjeve mbi fondacionin dhe burimin e fondeve që iu dërguan në llogarinë e tij në Facebook. Numrat dhe adresa e emailit të lidhura me Secin duket se janë ç’aktivizuar.

Melissa Stone, zëdhënëse e Continental Strategy, tha: “Puna jonë po financohet nga një biznesmen shqiptaro-amerikan dhe udhëheqës aktiv i diasporës shqiptaro-amerikane që e do Amerikën dhe e do Shqipërinë.”

Kjo përfshin edhe përpjekjet për të hequr sanksionet ndaj Berishës, i cili është ndaluar nga pjesëmarrja në fushata në SHBA, ku jetojnë shumë shqiptarë të diasporës.

“Si pjesë e punës sonë për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ne po kërkojmë në mënyrë aktive nga Administrata Trump që të nisë një rishikim të plotë dhe të përmbysë përdorimin e politizuar të nenit 7031(c) gjatë epokës së Biden kundër liderëve konservatorë, pro-amerikanë, përfshirë Presidentin Sali Berisha,” tha ajo në një deklaratë.

Në maj të vitit 2021, ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken sanksionoi Berishën për korrupsion të supozuar “të rëndësishëm” dhe i ndaloi atij, gruas dhe fëmijëve hyrjen në SHBA.

Britania bëri të njëjtën gjë një vit më vonë.

Blinken deklaroi se gjatë mandatit të Berishës si kryeministër (2005–2013), politikani “ishte i përfshirë në akte korruptive, si shpërdorim fondesh publike dhe ndërhyrje në procese publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitim personal dhe për pasurimin e aleatëve politikë dhe anëtarëve të familjes së tij,” të cilat Berisha i mohon.

Vitin e kaluar, Berisha u akuzua për korrupsion në lidhje me një skemë të supozuar ku ai ndihmoi dhëndrin e tij të privatizonte tokë publike për të ndërtuar pallate në kryeqytet, në Tiranë. Gjyqi ende nuk ka nisur.

Berisha tha për mediat shqiptare në janar se zgjedhja e Trump-it e konsideron “një mrekulli për njerëzimin” dhe se do t’i kërkojë administratës së re të rishikojë shpalljen e tij si “non grata” dhe të kërkojë që ajo të anulohet.

LaCivita e ka quajtur Berishën “një mik të vërtetë të Shteteve të Bashkuara.” Ai ka bërë krahasime mes Trump dhe Berishës, duke i paraqitur të dy si të “ndjekur dhe persekutuar padrejtësisht nga një qeveri që nuk ka respekt për demokracinë.”

LaCivita ka pranuar se vendimi i Berishës për ta promovuar publikisht përfshirjen e tij është ndryshe nga klientët e tjerë të huaj që preferojnë diskrecion më të madh.

“Ky është një vend ku, e dini, ndërhyrja e Amerikës në zgjedhje përkrahet, apo jo? Kudo tjetër, jo aq shumë,” tha LaCivita në një bisedë me gazetarë që u paraqitën si klientë të mundshëm, e publikuar nga The Guardian.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta