
Në një operacion të mirëorganizuar të Policisë së Tiranës, i koduar “Golden Gun”, është finalizuar me sukses arrestimi i një 19-vjeçari që qarkullonte i armatosur me pistoletë.
Shtetasi A. T., banues në Zall Mner, u kap dhe u arrestua në flagrancë, pasi tentoi të largohej me automjet kur iu bë shenjë ndalimi nga shërbimet e policisë.
Operacioni i ndërmarrë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 u bazua në informacione inteligjente që treguan se një individ po qarkullonte i armatosur me pistoletë.
Pas lokalizimit të automjetit të tij në Kamëz, i riu nuk iu bind urdhrit të policisë dhe tentoi të largohej me shpejtësi. Megjithatë, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të forcave të rendit, ai u kap dhe u arrestua.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti një pistoletë dhe municion, të cilat u sekuestruan si prova materiale, së bashku me automjetin e 19-vjeçarit.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, e cila po kryen veprimet e mëtejshme ligjore për këtë rast.
Top Channel