Carney në Uashington: Kanadaja nuk është për shitje, përplasja e ftohtë me Trumpin në Zyrën Ovale

07/05/2025 08:05

Takimi mes Presidentit Donald Trump dhe Kryeministrit të ri kanadez, Mark Carney, të zhvilluar të martën në Zyrën Ovale, nuk ishte as më i ngrohti dhe as më i tensionuari që ka parë ndonjëherë kjo hapësirë historike.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të vakët, pa armiqësi të hapur, por as pa ndonjë shenjë të qartë miqësie — të paktën jo të asaj fqinjësie që ndodh kur të dy palët e duan njëri-tjetrin.

Ky takim simbolizoi një dinamikë të re mes dy kombeve dikur shumë të afërta. Kufiri prej 5,525 miljesh mes SHBA-së dhe Kanadasë — më i gjati në botë — dikur ishte simbol bashkëpunimi, por për Trumpin sot, ai përfaqëson diçka tjetër.

“Dikush e ka vizatuar atë vijë shumë vite më parë, si me një vizore,” tha Trump gjatë takimit. “Kur e shikon atë vijë të drejtë në majë të vendit, thua: ‘Kështu duhej të ishte.’”

Carney nuk u pajtua. “Jam i lumtur që s’mund ta kuptoni se çfarë po më kalonte nëpër mendje,” u tha më vonë gazetarëve.

Pavarësisht kësaj, Carney nuk heshti. Në një takim të dominuar nga komentet e Trump-it — ai foli për 95% të kohës, duke prekur gjithçka, nga Lindja e Mesme te biblioteka e Barack Obamës e deri te trenat me shpejtësi të lartë në Kaliforni — deklarata më e rëndësishme erdhi kur Carney kundërshtoi idenë e Trump-it për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara.

“Siç e dini nga tregu i pasurive të paluajtshme, ka disa prona që nuk shiten kurrë,” tha Carney. Trump aprovoi me një “E vërtetë”.

“Dhe pasi kam takuar ‘pronarët’ e Kanadasë gjatë fushatës sime, mund t’ju them me siguri: ajo nuk është në shitje. Nuk do të jetë kurrë në shitje.”

Me këtë deklaratë, Carney përmbushi qëllimin e tij të qartë në Uashington: të riafirmojë me forcë sovranitetin e Kanadasë.

Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë fushatës zgjedhore, e cila rezultoi në një fitore befasuese për liberalët e tij, përballë një vale të fortë ndjenjash anti-Trump. Para udhëtimit në Shtëpinë e Bardhë, Carney kishte njoftuar edhe një vizitë të afërt të Mbretit Charles III në Kanada — një mënyrë simbolike për të theksuar lidhjen kushtetuese dhe sovranitetin e vendit.

Trump, megjithatë, nuk u tërhoq. “Kurrë mos thuaj kurrë,” tha ai, duke ngritur supet. Por nuk e çoi më tej çështjen. Për një temë kaq të ndjeshme në politikën kanadeze, ajo u “çaktivizua” brenda Zyrës Ovale.

Pasi gazetarët dolën nga salla, Carney i tha Trumpit se “nuk ishte e dobishme” të përsëriste sugjerimin për aneksim. “Por ai është presidenti,” tha Carney më vonë në një konferencë shtypi. “Ai mund të thotë ç’të dojë.”

Në një reagim më të ashpër, por virtual, Trump postoi në “Truth Social” se SHBA nuk kishte nevojë për asgjë nga Kanadaja — “përveç miqësisë së tyre” — ndërsa Kanadaja, sipas tij, kishte nevojë për “çdo gjë” nga SHBA.

Takimi përfundoi me një tension të lehtë: Trump deklaroi se nuk kishte ndërmend të hiqte tarifat për çelikun dhe makinat kanadeze, pavarësisht përpjekjeve të Carney-t. “Ashtu siç është,” tha Trump.

Por sipas standardeve të Trumpit, takimi ishte i qetë. Madje vetë ai e pranoi: “Kemi pasur përplasje shumë më të forta me të tjerë. Kjo ishte një bisedë miqësore.”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta