
Forcat ukrainase shënjestruan civilët në sulmin e tyre në Kursk , duke vrarë tre persona dhe plagosur shtatë të tjerë, njoftoi sot guvernatori i rajonit rus.
Zyrtari njoftoi gjithashtu se forcat e Kievit sulmuan një nënstacion energjie në rajonin e tij, pasi blogerët rusë të luftës kishin raportuar më parë një inkursion të ri tokësor ukrainas në zonë, të mbështetur nga automjete të blinduara dhe dronë.
Në të njëjtën kohë, njësitë ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 105 dronë ukrainas gjatë natës, raportoi agjencia e lajmeve RIA, duke cituar të dhëna nga Ministria Ruse e Mbrojtjes.
“Ne vazhdojmë të operojmë në zonë”
Forcat e armatosura ukrainase njoftuan sot se kanë kryer operacione luftarake në rajonin rus gjatë 24 orëve të fundit, pavarësisht pretendimeve të Moskës se kanë zmbrapsur pushtimin ukrainas të rajonit. Në njoftimin e tyre të përditshëm në Telegram, forcat ukrainase raportojnë se kanë zmbrapsur sulmet ruse në sektorin Kursk dhe se janë sulmuar nga artileria ruse, si dhe nga sulmet ajrore.
Energjia elektrike nuk është rikthyer ende në Rylsk, një qytet me rreth 15,000 banorë, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën, pasi forcat ukrainase sulmuan një nënstacion atje vonë të hënën në mbrëmje, duke dëmtuar dy transformatorë dhe duke plagosur dy adoleshentë, tha guvernatori i rajonit Kursk, Alexander Khinshtein. “Të dashur banorë, armiku, në grahmat e vdekjes, vazhdon të nisë sulme kundër territorit tonë”, tha Khinstein nëpërmjet Telegramit.
Autoritetet po evakuojnë banorët nga zonat pranë kufirit, pasi sulmet me dronë ukrainasë janë bërë “më të shpeshta” që nga dje, njoftoi administrata e rajonit Kursk nëpërmjet Telegramit.
Blogerët rusë të luftës raportuan se forcat ukrainase sulmuan rajonin e Kurskut dje, të hënën, duke qëlluar me raketa , duke kaluar kufirin dhe duke kaluar fushat e minuara me automjete speciale. “Armiku hodhi në erë urat me raketa gjatë natës dhe nisi një sulm me njësi të blinduara në mëngjes”, raportoi sot në Telegram blogeri rus i luftës “RVvoenkor”.
“Mjetet e pastrimit të minave filluan të hapnin kalime në fushat e minuara, të ndjekura nga automjete të blinduara me trupa. “Një betejë e ashpër po zhvillohet në kufi.”
Blogu i njohur rus i luftës Rybar raportoi sot se përparimi ukrainas pranë vendbanimit Tyotkino, në rajonin e Kurskut, përtej kufirit ishte i pasuksesshëm.
Kreu i distriktit Gluskovo në Kursk, pranë kufirit me Ukrainën, Pavel Zolotaryov , shkroi në Telegram se banorët e vendbanimeve po evakuohen në zona më të sigurta. “Gjatë 24 orëve të fundit, ka pasur një rritje të sulmeve nga dronë armik”, shkroi Zolotaryov. “Pati raste ku njerëz u vranë ose u plagosën, shtëpi dhe infrastruktura civile u shkatërruan.”
Pavel Zolotaryov nuk zbuloi shifra ose detaje të mëtejshme rreth humbjeve. Reuters nuk ishte në gjendje ta konfirmonte në mënyrë të pavarur informacionin.
Top Channel