Policia e Lezhës ka proceduar në gjendje të lirë Gjin Gjonin, kandidat i Partisë Demokratike në Lezhë.

Gjoni akuzohet për shpifje, pasi në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar një postim ku pretendon se pesë përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste” janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.

Tensione ka pasur sërish edhe gjatë mbrëmjes të së hënës mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Aleancës Euroatlantike.

Në qendër të incidentit kanë qenë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, drejtori i OSHEE-së në Lezhë, Andi Marku (të dy nga PS), Gjin Gjoni nga PD dhe Eduart Ndocaj nga Aleanca Euroatlantike.

Sipas përfaqësuesve të PS-së, rruga u është bllokuar qëllimisht nga Ndocaj dhe Gjoni, duke shkaktuar tension mes grupeve. Ndërkohë, Gjoni dhe Ndocaj pretendojnë se eksponentët e PS-së kanë tentuar të blejnë vota.

Policia ndërhyri menjëherë dhe shoqëroi të gjithë të përfshirët për të dhënë deklarimet e tyre në komisariat. Një 38-vjeçar u procedua në gjendje të lirë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Kjo ngjarje ndodh vetëm një ditë pas denoncimit publik nga familjarët e kandidates së PS-së për Lezhën, Klotilda Ndreca, të cilët akuzuan Gjin Gjonin se persona të urdhëruar prej tij i kanë kërcënuar me armë pranë banesës së tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta