
Polonia po përballet me një përpjekje ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet e saj presidenciale, tha ministri për çështjet dixhitale, ndërsa fushata hyn në fazën e saj të fundit para votimit të raundit të parë më 18 maj.
Polonia thotë se roli i saj si një qendër për dërgimin e ndihmës në Ukrainë e ka bërë atë një objektiv kyç për sabotimin rus, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.
Varshava është në gatishmëri të lartë për zgjedhjet e saj presidenciale pasi Rumania anuloi votimin e dhjetorit, duke përmendur ndërhyrjen ruse në procesin zgjedhor.
“Gjatë zgjedhjeve presidenciale në Poloni, ne përballemi me një përpjekje të paparë nga pala ruse për të ndërhyrë në procesin zgjedhor”, tha Krzysztof Gafkowski gjatë një konference për shtyp.
“Kjo bëhet duke përhapur dezinformim në kombinim me sulme hibride kundër infrastrukturës jetësore polake me qëllim paralizimin e funksionimit të duhur të shtetit”, shtoi ai.
Sulmet kishin në shënjestër kompanitë e ujit dhe kanalizimeve, kompanitë e ngrohjes, impiantet e furnizimit me ujë dhe institucionet shtetërore. Numri i sulmeve kibernetike ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, tha ai.
“Sot, në Poloni, çdo minutë të fjalimit tim, regjistrohen rreth dhjetë incidente kundër infrastrukturës jetësore”, theksoi ai.
Varshava raportoi në mars se kishte pasur një sulm kibernetik ndaj agjencisë hapësinore të Polonisë. Në vitin 2024, Polonia njoftoi se agjencia e saj kombëtare e lajmeve kishte qenë shënjestër e një sulmi kibernetik rus.
Varshava dhe aleatët e saj akuzojnë Moskën se qëndron pas sulmeve të zjarrvënies dhe sabotimit në të gjithë Evropën.
Top Channel