
Nga data 25 prill deri më 25 qershor, në liqenin e Fierzës ndalohet çdo aktivitet i peshkimit.
Moratoriumi vjen për të mbrojtur periudhën e shumimit natyror të dy llojeve të rëndësishme: krapit dhe gjucës.
Kryetari i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, Beqir Iseberi, thotë se masa është e domosdoshme për ruajtjen e ekosistemit dhe do të mbështetet me kontrolle të rrepta në terren.
Iseberi thotë: “Shkelësit do të ndëshkohen me gjoba administrative dhe, në raste të përsëritura, me ndjekje penale.”
Sipas tij, kontrolli po realizohen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, bashkitë dhe institucione të tjera përgjegjëse.
Në liqenin e Fierzës gjenden lloje të ndryshme peshku si krapi, ngjala, luçipërku, gjuca, por edhe specie të reja.
Peshkatarët që frekuentojnë këtë zonë vijnë kryesisht nga Kukësi, Hasi, Tropoja, por edhe nga Kosova.
Autoritetet apelojnë për respektimin e këtij moratoriumi si një hap i nevojshëm për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme për peshkimin në këtë basen ujor.
Top Channel