Jonila Godole: Në Serbi, protestat nuk pushojnë! Në Shqipëri, nuk nisin fare

06/05/2025 17:21

Nga Jonila Godole

Në Serbi, prej një jave të rinjtë kanë nisur një marshim drejt Brukselit. Kanë muaj që janë në rrugë, protestojnë kundër dhunës, kundër një sistemi që nuk i përfaqëson më. “Korrupsioni vret!” – thonë. Dhe nuk ndalen.

Ndërkohë në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve, të rinjtë nuk protestojnë, por mbushin sallat e partive. Duartrokasin dhe bëjnë selfie me të njëjtët politikanë që u kanë premtuar të njëjtat gjëra prej 30 vjetësh: punë, reforma, integrim.

Këtu, pushteti nuk shtyp me shkopinj gome. Të josh me më shumë finesë: një vend pune për patronazhistin, një tender për militantin, një leje ndërtimi pa garë, ca turistë që krijojnë iluzionin e zhvillimit. Të një ekonomie që “lulëzon” jo nga puna, por nga paratë e pista: nga droga, ndërtimi informal, korrupsioni. Secilit i jepet një gllënjkë nga kjo “pije energjike” që nuk të shton jetën, por të mban në këmbë, dhe mbi të gjitha blen heshtjen.

Kush nuk pajtohet me këtë sistem, ikën. Kush rri, mëson të mos bëjë zhurmë.

Shqipëria nuk është më vendi i shpresës kolektive. Është kthyer në një treg të vogël për përfitime të vogla. Një vend ku protesta quhet naivitet. Dhe askush nuk do të duket naiv.

Ndaj mungesa e protestës nuk është shenjë stabiliteti, është shenjë dorëzimi. E një shoqërie që nuk beson më se zëri i saj sjell ndryshim. Dhe një shoqëri që nuk proteston, është një shoqëri që ka pranuar humbjen.

Top Channel