
Kremlini njoftoi sot se 29 udhëheqës të huaj, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping dhe presidentin brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva të Brazilit, priten në Moskë të premten për festimet e Ditës së Fitores, ku do të marrin pjesë ushtarë kinezë dhe anëtarë të forcave të armatosura nga 12 vende të tjera.
“Ne presim praninë e 29 udhëheqësve të huaj në Paradën e Fitores”, u tha gazetarëve këshilltari diplomatik i Putin, Yuri Ushakov.
“Njësi ushtarake nga 13 vende do të marshojnë, përfshirë Kinën”, shtoi ai, ndërsa Kievi ka thënë se do ta perceptojë çdo pjesëmarrje të huaj në paradë si “mbështetje për shtetin agresor”.
Sipas zyrtarit rus, pritet të marrin pjesë edhe veteranë amerikanë të Luftës së Dytë Botërore, por ende nuk është e qartë nëse zyrtarët amerikanë do të jenë “të pranishëm”, megjithëse Kremlini i ka dërguar një ftesë ambasadorit të SHBA-së në Rusi.
Festimet do të zhvillohen midis 8 dhe 11 majit, parada tradicionale ushtarake vjetore do të zhvillohet në Sheshin e Kuq, në zemër të kryeqytetit rus, më 9 maj.
Ushakov tha gjithashtu se trupat nga Koreja e Veriut, të cilat Pheniani i konfirmoi për herë të parë në prill se luftuan për Rusinë kundër trupave ukrainase, nuk do të merrnin pjesë në paradë, megjithatë ambasadori i Koresë së Veriut në Rusi do të jetë i pranishëm.
Presidenti rus, Vladimir Putin shpalli një armëpushim tre-ditor më 28 prill për të shënuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Top Channel