
Partia Liberale e Australisë është përballur me një nga disfatat më të thella në historinë e saj politike pas zgjedhjeve federale të së shtunës.
Rezultatet shokuese kanë tronditur themelët e opozitës, ndërsa lideri i saj, Peter Dutton, humbi edhe vendin e tij në parlament pas 24 vitesh përfaqësim në zonën Dickson të Queensland-it.
Fitorja e thellë e Partisë Laburiste ka shënuar një kthesë të madhe në politikën australiane, me kryeministrin Anthony Albanese që deklaroi të dielën: “Populli australian votoi për unitet dhe jo për përçarje.”
“Eksperimenti Dutton” konsiderohet një dështim total
Humbja e Duttonit është historike – ai bëhet lideri i parë federal i opozitës në Australi që humbet njëkohësisht edhe postin e deputetit. Për shumë anëtarë të partisë, kjo është një thirrje alarmi. Ish-këshilltari i një kryeministri liberal e cilësoi situatën si “katastrofë të plotë”, duke shtuar se “eksperimenti Dutton dështoi”.
Deputeti Keith Wolahan kërkoi një “rishikim serioz” të çështjeve strukturore që çuan në këtë rezultat të dhimbshëm, duke theksuar: “Duhet t’i dëgjojmë australianët. Ata na kanë dërguar një mesazh të qartë.”
Rindërtimi i Partisë Liberale dhe beteja për udhëheqje
Me Peter Dutton të përjashtuar nga parlamenti, gara për drejtimin e Partisë Liberale ka nisur. Ndër emrat që përfliten për postin e liderit përfshihen: arkëtari në hije Angus Taylor, zëvendëskryetarja Sussan Ley, si dhe ministrat në hije Dan Tehan dhe Andrew Hastie.
Partia përballet tani me sfidën e rindërtimit të vetvetes në një klimë të polarizuar politike dhe në mungesë të një udhëheqësi të fortë.
Top Channel