
Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe përfaqësuesit e një “institucioni të ri ndërkombëtar” janë “pranë një marrëveshjeje” për të rifilluar hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës në një mënyrë që “nuk kontrollohet nga Hamasi”, raportoi Axios, duke cituar burime në qeveritë izraelite dhe amerikane.
Axios përmend pjesëmarrjen e një “kompanie private amerikane” në një “mekanizëm shpërndarjeje ndihmash”. Nuk specifikon se për cilin “institucion të ri ndërkombëtar” bëhet fjalë. Raporti pretendon se ndihma ndaloi së shpërndari “pasi” Izraeli i dha fund një armëpushimi dy-mujor me Hamasin më 18 mars.
Megjithatë, autoritetet izraelite ndërprenë plotësisht hyrjen e çdo ndihme humanitare në Rripin e Gazës më 2 mars, duke akuzuar Hamasin për abuzim me të. Qeveria e Benjamin Netanyahut argumentoi se një bllokadë e plotë e enklavës dhe presioni ushtarak ishin mënyra “e vetme” për të detyruar lëvizjen islamiste palestineze të lirojë 58 pengje që mban, të vdekur dhe të gjallë.
Që atëherë, OKB-ja i ka bërë thirrje Izraelit që të lejojë përsëri hyrjen e ndihmës humanitare në enklavë, gjë që është jetike për popullsinë që përballet me një katastrofë humanitare dhe në rrezik nga uria, siç theksojnë zyrtarët e saj.
Operacionet humanitare në Rripin e Gazës janë në prag të “kolapsit të plotë”, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (ICRC). Agjencitë e OKB-së thonë se furnizimet me ushqim do të mbarojnë “brenda disa ditësh”.
Top Channel