
‘Në 100 ditët e para të qeverisjes, nuk ka më rrogë nën 500 euro’-ishte premtimi i kreut të PD Sali Berisha gjatë takimit elektoral në Peqin.
Kryedemokrati foli edhe për pensionet, kategori për të cilën tha se janë lënë në harresë nga kryeministri Edi Rama.
“Është bërë e pajetueshme sepse pensionistët, që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro. Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak. Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë. Nuk arrijnë të jetojnë këtu se bizneset ndrydhen dhe gjobiten nga të katër anët.
Çdo pensionisti i kërkoj njerëzisht vetëm një gjë. T’i shtrojë vetes pyetjen: si ka mundësi që pensionisti malazez, që në vitin 2013 merrte 138 mijë lekë pension mesatar, sot merr 450 mijë lekë. Në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro. Dhe sot me pension nën 172 euro janë 57 përqind e të gjithë pensionistëve. U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro”-tha Berisha.
Kreu i PD komentoi edhe takimin elektoral të Partisë Socialiste dje në qarkun e Dibrës.
“Tallet me shqiptarët, merr daullen i bie daulles. Gjen dhe Noizyn me Lamborghini. Lamborghini i Noizyt nuk është pensione dhe rroga. Ai ta gëzojë, por ç’punë ka pensionisti me të. Ç’punë ka i sëmuri që vdes për ilaçe. Edhe Kamala mori të gjithë Hollywood-in me vete por përfundoi atje ku e meritonte”-tha Berisha.
Top Channel