
Një burrë 73-vjeçar në Illinois të SHBA është dënuar me 53 vite burg pasi vrau një djalë 6-vjeçar palestinezo-amerikan dhe plagosi rëndë nënën e tij, në një sulm të motivuar nga urrejtja fetare.
Joseph Czuba, banues në Çikago, u shpall fajtor për vrasje dhe krime urrejtjeje ndaj vogëlushit Wadee Alfayoumi dhe nënës së tij, Hanan Shaheen. Sulmi ndodhi në tetor të vitit të kaluar, pak kohë pas nisjes së luftës Izrael-Gaza, dhe u dënua gjerësisht si akt islamofobik.
Familja palestineze ishte me qira në shtëpinë e tij, i cili sipas prokurorëve, i sulmoi për shkak të fesë së tyre islame. Nëna e djalit dëshmoi se ai i kishte thënë: “Ti, si myslimane, duhet të vdesësh”, para se të sulmonte me thikë, duke e goditur atë mbi 12 herë dhe më pas djalin 26 herë.
Ai refuzoi të fliste në gjykatë gjatë shpalljes së dënimit, ndërsa në sallë ishin të pranishëm të afërmit e viktimave dhe përfaqësues të komunitetit mysliman.
“Ditën që ai u vra, babai i tij kishte ëndrra dhe plane për të,” u shpreh Mahmoud Yousef, gjyshi i Wadee-së. “Askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e një fëmije.”
Rasti ka ngritur sërish alarmin për rritjen e incidenteve të urrejtjes ndaj myslimanëve dhe palestinezëve në SHBA.
Top Channel