Tronditëse në Itali! Burri plagos rëndë me thikë gruan dhe më pas vdes në një aksident

02/05/2025 16:44

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e 2 majit qytetin San Secondo Parmense në Itali, ku një grua u godit me thikë nga bashkëshorti i saj brenda banesës së tyre.

Autor i dyshuar i sulmit është një 53-vjeçar me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili humbi jetën pak minuta më vonë në një aksident të rëndë rrugor, teksa përpiqej të largohej nga vendngjarja.

Sipas raportimeve të para, ishin dy fëmijët e vegjël të çiftit, të moshës 6 dhe 8 vjeç, që dhanë alarmin.

Pas sulmit ndaj nënës së tyre, ata dolën me vrap në rrugët e lagjes dhe kërkuan ndihmë, duke thirrur: “Ndihmë, mami është e sëmurë.”

Një fqinj ndërhyri menjëherë dhe gjeti gruan në gjendje të rëndë, e shtrirë në një pellg gjaku. Ajo u transportua me urgjencë në spital, ku vijon të qëndrojë në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë, dy fëmijët e vegjël janë vendosur në një strukturë të mbrojtur, ndërsa dy fëmijët e tjerë të çiftit, të cilët janë adoleshentë, ndodheshin në shkollë në momentin e ngjarjes.

Pas njoftimit të autoriteteve, karabinierët nisën menjëherë kërkimin për autorin e dyshuar. Vetëm disa minuta pas sulmit, burri u përfshi në një aksident të rëndë rrugor në rrugën provinciale të Kremonës, vetëm pak qindra metra larg banesës. Një përplasje mes një furgoni dhe një makine rezultoi fatale për 53-vjeçarin, i cili humbi jetën në vend. Dy persona që ndodheshin në furgon u plagosën rëndë.

Autoritetet po hetojnë për të zbardhur plotësisht motivet e ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një gjesti ekstrem nga ana e autorit. Hetimet vijojnë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta