
Një vizion i përulur dhe në shërbim të më të vegjëlve!
Ky është thelbi i mesazhit të Papa Françeskut, i cili jehon në një intervistë të papublikuar më parë, të realizuar në vitin 2021 dhe që së shpejti do të transmetohet në dokumentarin e kanalit katolik ESNE – El Sembrador, Nueva Evangelización.
Në këtë intervistë të thellë shpirtërore, Papa Bergoglio shpreh dhimbjen dhe admirimin për ata që ai i quan “martirët e kohëve moderne”.
“Sot ka më shumë martirë sesa në fillimet e Kishës”, tha ai. “Janë të krishterë që u pritet koka vetëm sepse rrëfejnë Jezusin. Janë në burg vetëm për besimin e tyre. Ata janë vëllezërit tanë. Kjo është Kisha që triumfon, jo ajo me para në banka.”
Fjalët e Papës janë një reflektim i fuqishëm për natyrën e vërtetë të Kishës dhe misionin e saj. “Kisha e martirëve është Kisha e dëshmisë së gjallë, e përkushtimit të plotë, e sakrificës. Ajo nuk ngrihet mbi fuqinë politike apo pasurinë, por mbi besimin dhe përulësinë.”
Papa shpjegoi gjithashtu thellësinë shpirtërore të thirrjes priftërore përmes figurës së Shën Pjetrit: “Jezusi gjithmonë i thërret barinjtë nga mesi i popullit, jo nga elitat. Nëse Pjetri do të kishte harruar se nga vinte, ai do ta kishte tradhtuar planin e Zotit. Jo! Bariu duhet të jetojë me delet, të ndjejë erën e tyre, të jetë mes tyre.”
Në vijim, ai rrëfen për momentin kur Pjetri e pranon dobësinë e tij dhe rrëzohet në gjunjë përpara Jezusit, duke thënë: “Zot, largohu nga unë, sepse jam mëkatar.” Për Papën, ky është thelbi i rrugëtimit shpirtëror: të pranosh vogëlsinë, të ndjekësh Jezusin dhe të kthehesh në peshkatar shpirtrash.
Ai përfundon me një mesazh të qartë për udhëheqësit fetarë: “Kur Jezusi e vajos një prift apo peshkop, ai e bën këtë që të jetë bari. Jo për t’u bërë zyrtar, as për të pasur pushtet politik. Vajosja është për të udhëhequr me përulësi, për të qenë shërbëtor i njerëzve.”
Kjo intervistë intime vjen si një dëshmi tjetër e linjës së vazhdueshme të Papës për një Kishë të përunjur, të thjeshtë dhe të përkushtuar ndaj atyre që vuajnë më shumë.
Top Channel