
Fundi tragjik i gazetares 27-vjeçare ukrainase, Viktoria Roshkina, pas arrestimit të saj nga rusët në Zaporizhia në verën e vitit 2023 dhe transferimit të saj në një burg rus, shkaktoi një protestë ndërkombëtare dhe është një tjetër kujtesë e tmerreve të luftës.
Kur trupi i saj u dorëzua më 14 shkurt, sytë, truri dhe laringu i saj mungonin, një fakt që në vetvete zbuloi kushtet barbare të paraburgimit të saj në Rusi, siç u zbulua pas një hetimi gazetaresk.
Vika u rrit në të njëjtin qytet me Zelenskyn, por përpara se Victoria Roshkina, e njohur nga familja e saj si Vika, të humbiste jetën kaq brutalisht, ajo ishte një gazetare me pasion për punën e saj.
Vika u rrit në hijen e luftës. Babai i saj ishte një veteran i luftës sovjetike në Afganistan, dhe ajo ishte 17 vjeç kur Rusia aneksoi Krimenë.
Në fakt, ajo dhe motra e saj u rritën në të njëjtin qytet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Krivyi Rih, ku prindërit e saj jetojnë ende sot.
Kolegët e 27-vjeçares thonin se ishte një person i përkushtuar ndaj punës së saj. “Ajo nuk kishte jetë jashtë punës së saj, nuk kishte miq, nuk kishte partner, por ajo bëri një punë të shkëlqyer. Për të, ishte një mision”, tha për Guardian Sevil Musaeva, kryeredaktore e Ukrainska Pravda.
“Ajo ishte një nga gazetaret më të guximshme që kam takuar në karrierën time”, shtoi Pravda.
Takimi i saj i parë me rrezikun dhe çmimi për guximin e saj
Victoria Roshkina praktikoi gazetari militante gjatë luftës në Ukrainë, por gjithmonë përpiqej të ishte shumë e kujdesshme. Për të mbrojtur burimet e saj, ajo përdorte shumë telefona, gjithmonë fshinte mesazhet e saj dhe shkruante artikujt e saj në skedarë që gjithashtu fshiheshin vetë. Ajo zhdukej për javë të tëra, pastaj rishfaqej vetëm për të dhënë punën e saj.
Në mars të vitit 2022, ndërsa raportonte nga qyteti i pushtuar i Berdyansk, ajo pati takimin e saj të parë me rrezikun. Ajo u kap nga një ushtar dhe iu dorëzua agjentëve të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), ku u detyrua të regjistronte një video propagandistike dhe u lirua disa ditë më vonë, pas një proteste publike.
Kur u kthye në shtëpi, kolegët e saj e nxitën të pushonte dhe të kërkonte trajtim, pasi gjendja e saj psikologjike ishte jashtëzakonisht e brishtë, siç kujtojnë ata.
Gazetarja 27-vjeçare, megjithatë, nuk i ndoqi këshillat e tyre. Ajo vazhdoi të punonte mbi çështje dhe të ofronte raporte zbuluese, të tilla si frikësimi i punëtorëve që mbanin në punë termocentralin bërthamor Zaporizhia, si dhe një incident në të cilin u vranë dy djem 16-vjeçarë që kundërshtonin rusët.
Për guximin e saj, në nëntor 2022, Roskina u nderua me një çmim nga Fondacioni Ndërkombëtar i Medias së Grave, por ajo nuk donte ta ndalonte punën e saj për të marrë pjesë në ceremoninë në Los Angeles dhe kështu dërgoi një mesazh, duke përshëndetur kolegët e saj, në të cilin shpjegoi se çfarë i dha forcën për të vazhduar.
“Ne i mbetëm besnikë misionit tonë, për t’ia përcjellë të vërtetën botës, duke iu kundërvënë propagandës ruse. Fatkeqësisht, shumë gazetarë humbën jetën. Dua t’ua dedikoj këtë çmim atyre. Në fund të fundit, ata vdiqën në luftën për të vërtetën, duke u përpjekur të dokumentonin krimet e Rusisë. I falënderoj pafund ata”, tha ajo.
Ajo po kërkonte të gjente vendet që rusët përdornin për tortura dhe marrje në pyetje
Kolegët e saj thanë se në udhëtimin e saj të fundit, Roskina po kërkonte vendndodhjen e qendrave sekrete, ndërtesave nëntokësore ose industriale, të cilat përdoreshin nga agjentët e shërbimit të sigurisë ruse për marrje në pyetje dhe tortura, gjatë të cilave ata i detyronin qytetarët të jepnin rrëfime të rreme. Ajo madje donte të zbulonte dhe emrat e agjentëve.
Roskina u largua nga Ukraina për herë të fundit më 25 korrik 2023 për të arritur në territoret e pushtuara, pasi nuk kishte kalime të sigurta në vijën e frontit. Në orën 14:09 atë ditë, telefoni i saj celular u lidh me një rrjet polak. Nga Polonia, ajo udhëtoi nëpër Lituani dhe në veri drejt Letonisë. Një foto e pasaportës dhe formularit të saj të hyrjes, e marrë nga ky hetim, sugjeron se ajo hyri në Rusi nga Letonia, nën emrin e saj të vërtetë, përmes postës kufitare Ludonka. Karta thotë se ajo po shkonte për në qytetin e Melitopolit. Ajo udhëtoi 1,000 milje në jug përmes Rusisë, duke kaluar në Ukrainën e pushtuar disa ditë më vonë.
Megjithatë, më 3 gusht, vetëm disa ditë pasi ajo filloi udhëtimin e saj, babai i saj, Volodymyr Roshkina, ngriti alarmin kur kuptoi se vajza e tij kishte ndaluar së hyri në llogaritë e saj në mediat sociale.
Pikërisht atëherë gazetarja 27-vjeçare humbi gjurmët.
Dëshmitë për muajt e fundit të jetës së saj
Informacioni për muajt e fundit të jetës së saj u mblodh falë më shumë se 50 intervistave me të mbijetuar të paraburgimit në burgjet ruse, si dhe me familjet e disa prej të paraburgosurve.
Informacioni u dha gjithashtu nga avokatë në Rusi dhe Ukrainën e pushtuar, si dhe oficerë burgu që dhanë dorëheqjen nga shërbimi i tyre, të tronditur nga ajo që kishin parë.
Një nga dëshmitarët ishte edhe e burgosura tjetër, e cila u lirua shtatorin e kaluar dhe e regjistroi dëshminë e saj në video për prokurorin.
Sipas saj, trupi i gazetares ukrainase ishte i mavijosur.
“Gjatë marrjes në pyetje, i dhanë goditje elektrike… E goditën me thikë, i pashë vetë, në dorë, në këmbë… plagë e freskët me thikë, në parakrah, në indin e butë midis kyçit të dorës dhe bërrylit. Një plagë rreth 3 centimetra e gjatë. Ajo tha se një djalë, e quajti “m…”, ishte i dhunshëm, i çmendur. Në këmbën e saj, mbi thembër kishte një plagë 5 centimetra. Më tha: I luta të mos e preknin plagën”, tha e bashkë-burgosura.
Drejt fundit të vitit 2023, Roskina u informua nga një oficer i FSB-së, të cilin e quajti Maxim Moroz, se do të transferohej në një burg tjetër dhe premtoi trajtim më të mirë. Sipas dëshmitarëve, ajo u mor vetëm, në një xhip, dhe u mbajt në një qendër paraburgimi të njohur si Sizo 2.
“Ajo mbërriti dhe ishte e droguar me lloj lloj dogrash. Ajo mbërriti dhe praktikisht filloi të çmendej. Po flisnim me të, por ajo ishte e humbur në mendime, sytë e saj ishin të tmerruar”, tha shoqja e saj e burgosur, e cila e përshkroi Roshkinën të shtrirë të mbështjellë në dysheme me një perde që fshihte tualetin, larg shikimit të rojeve.
Sipas dëshmive, ajo ishte vetëm 30 kilogramë.
“Ajo mund të ngrihej, por vetëm me ndihmën time, pasi ishte në një gjendje të tillë sa nuk mund ta ngrinte kokën nga jastëku. Unë po e mbështesja dhe ajo po mbahej pas shtratit të sipërm për t’u ngritur”, tha shoqja e saj e burgosur.
Ushtari Yevgeny Markevich, tha se 27-vjeçarja “nuk ishte në grevë urie, ajo thjesht filloi të refuzonte ushqimin. Në fillim ajo pretendoi se ishte për arsye fetare, agjërim apo diçka të tillë, dhe pastaj filloi të thoshte se nuk mund të hante për arsye shëndetësore”.
Sipas dëshmisë së të burgosurës tjetër, këmbët dhe shputat e Roskinës u ënjtën. Asaj iu ofruan pilula për zemrën, por ajo me sa duket i refuzoi siç vëren Guardian, problemet me zemrën dhe mbajtja e lëngjeve në indet e këmbëve janë simptoma të urisë.
Në qershor, ajo u shtrua në spital për disa javë, ku, sipas dëshmitarëve, u vëzhgua nga gjashtë roje të maskuara të armatosura, një tregues se Moska e konsideronte atë një monedhë të vlefshme negociuese. Në korrik, ajo thuhet se u transferua përsëri në burg me një injeksion intravenoz pasi vazhdoi të refuzonte ushqimin.
Në prill 2024, familja e saj mori konfirmimin e parë zyrtar se ajo ishte gjallë, në një letër nga Ministria Ruse e Mbrojtjes. Letra thoshte vetëm se ajo ishte “arrestuar dhe aktualisht ndodhet në territorin e Federatës Ruse”.
Në fund të gushtit, Roshkinës iu lejua të telefononte në shtëpi. Negociatorët ukrainas i informuan prindërit e saj se ajo kishte filluar një grevë urie.
“Më premtuan se do të jem në shtëpi në shtator”, u tha ajo prindërve të saj, dhe kur i ati e nxiti të hante, ajo i tha lamtumirë, duke thënë: “Epo, kaq ishte. Mirupafshim, mirupafshim. Mami, babi, ju dua”
Top Channel