
Arbër Pepa, që inskenoi shpërthimin me tritol në apartamentin e tij në Elbasan, u vu në pranga, së bashku me nipin bashkëpunëtor.
Arbër Pepa u ndalua nga policia teksa tentoi të kaloi kufirin në Greqi, ndërsa nipi i tij u ndalua ne Elbasan.
Ata vendosën lëndën plasëse, me qëllim përdorimin e ngjarjes si arsye për të përfituar azil në vendet e BE.
Shpërthimi tronditi banorët. “23:15 ka qenë ora, as kur ka rënë tërmet nuk është tundur shtëpia ime ashtu. Aq u trembën sa nuk ka ku shkon”, u shpreh një dëshmitare për korrespondenten e Top Channel, Bruna Kërçyku.
Nga pamjet e siguruara nga Top Channel, duket dëmet që ka shkaktuar shpërthimi, ku ka ka pasur thyerje të xhamave të dritareve të disa apartamenteve.
Njoftimi:
Vendosi lëndë eksplozive para banesës së tij me qëllim përfitimin e azilit, policia brenda pak orësh zbardhi ngjarjen dhe vuri në pranga autorin.
Në pranga dhe nipi që ndihmoi 43-vjeçarin, për të inskenuar ngjarjen.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në lagjen “Partizani”, organizuan punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në kuadër të operacionin policor të koduar “Inskenimi”., u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Po në vijim të operacionit u bë arrestimi për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve A. P., 43 vjeç, i zoti i banesës ku shpërtheu lënda plasëse dhe E. T., 18 vjeç, nipi i tij.
Shtetasi A. P., dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive para banesës së tij në bashkëpunim me nipin, shtetasin E. T., me qëllim përfitimin e azilit në një nga vendet e BE-së. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Top Channel