“Marrëveshje e barabartë”/ Zelensky flet për akordin SHBA-Ukrainë për mineralet: Erdhi si rezultat i takimit tim me presidentin në Vatikan

01/05/2025 20:30

Nënshkrimi i një marrëveshjeje për mineralet midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara është rezultat i takimit që udhëheqësit patën në Vatikan fundjavën e kaluar, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Dyshja zhvilloi një takim të shkurtër para funeralit të Papa Françeskut të shtunën. Fotot e publikuara nga biseda treguan udhëheqësit në një diskutim të ngushtë në një zonë të zbrazët të Bazilikës së Shën Pjetrit. Zelensky tha se i tha presidentit amerikan “për gatishmërinë për të përfunduar një marrëveshje” gjatë takimit të Vatikanit.

Udhëheqësi ukrainas e quajti marrëveshjen për mineralet një “marrëveshje vërtet të barabartë” që “krijon një mundësi për investime”, duke lavdëruar delegacionin ukrainas që punoi në negociata.

“Përfaqësuesit tanë punuan shumë mirë. Marrëveshja ka ndryshuar ndjeshëm në procesin e përgatitjes”, tha ai. Zelensky tha se marrëveshja është “pa borxhe” dhe do t’u lejojë si SHBA-ve ashtu edhe Ukrainës të fitojnë para së bashku.

Udhëheqësi ukrainas e quajti takimin në Vatikan “kuptimplotë” dhe tha se vendi i tij “po pret me padurim rezultatet e tjera të bisedës sonë”, pa dhënë më shumë detaje.

Marrëveshja i jep SHBA-së të drejta preferenciale për nxjerrjen e mineraleve në Ukrainë dhe parashikon një fond të përbashkët investimi që do të investojë para në burimet natyrore të Ukrainës.

Pakti përmban gjuhë të fortë mbi luftën me Rusinë dhe shihet si një mënyrë për të ndërthurur më tej interesat ekonomike të SHBA-së me nevojat e sigurisë së Ukrainës, megjithëse nuk ofron garanci konkrete sigurie.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta