Vrasja e trefishtë në Suedi, policia arreston një 16 vjeçar! Një prej viktimave, i lidhur me bandat

30/04/2025 12:03

Autoriteti i prokurorisë në Suedi ka bërë të ditur se një 16-vjeçar është ndaluar me dyshimin se ka qëlluar dhe vrarë tre persona në qytetin e Uppsalës, të martën.

Policia kishte konfirmuar më herët në një konferencë për shtyp se një person i ndaluar ishte i dyshuar për vrasje dhe ishte një nga disa persona që po merreshin në pyetje si pjesë e hetimeve, megjithatë nuk kishin dhënë detaje për moshën.

Të shtënat ndodhën në një sallon flokësh në Uppsala, një qytet universitar rreth 72 kilometra në veri të Stokholmit. Policia tha se incidenti besohet të ketë qenë një ngjarje e izoluar dhe nuk ka lidhje me festimet vjetore të Valborgut që priten të mbahen në qytet të mërkurën në mbrëmje, një festival suedez që shënon ardhjen e pranverës.

Mediat suedeze raportuan se njëri prej të vrarëve kishte lidhje me krimin e organizuar dhe bandat, megjithatë policia nuk i konfirmoi këto raportime.

Autoritetet në Suedi po përballen me vështirësi në trajtimin e dhunës së bandave, e cila mbetet në qendër të debatit kombëtar, përfshirë edhe shqetësimet në rritje për moshën e vogël të fëmijëve të përfshirë në gjakderdhje. Armët e zjarrit dhe eksplozivët përdoren rregullisht nga bandat rivale.

Policia u ka bërë apel qytetarëve për informacion pasi një person me maskë është parë duke u larguar nga vendi i krimit me një skuter elektrik të martën.

Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, i dënoi vrasjet si një “akt brutal dhune”. Policia u njoftua për ngjarjen pak pas orës 17:00 të së martës, kur mori disa telefonata nga qytetarët për të shtëna me armë. Më vonë, autoritetet konfirmuan se tre persona kishin humbur jetën.

“Shumë shpejt gjetëm tre persona që dukej se ishin qëlluar. Ata nuk kishin nevojë të dërgoheshin në spital”, tha zëdhënësi i policisë së Uppsalës, Magnus Jansson Klarin, për gazetën ditore Svenska Dagbladet.

Qeveria njoftoi në shkurt se planifikon të forcojë ligjet për armët pas masakrës më të rëndë në vend, kur një person i armatosur vrau 10 persona në një qendër arsimore në Örebro, në perëndim të Stokholmit, përpara se të vetëvritej. Motivet e tij janë ende nën hetim.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta