
Gazetarja ukrainase Viktoriia Roshchyna u kap në verën e vitit 2023 pranë stacionit bërthamor të Zaporizhzhias.
Ai ishte udhëtimi i saj i katërt në territoret e pushtuara. Në këtë fazë të luftës, Roshchyna ishte e vetmja reportere ukrainase e gatshme të rrezikonte duke kaluar vijën e parë të frontit për të kapërcyer ndërprerjen e informacionit të imponuar nga Rusia. Por ajo vdiq në moshën 27 vjeçare, pas një viti të kaluar në paraburgim. Informacioni për rrethanat e vdekjes së saj është i kufizuar.
Gazetarja u mbajt e burgosur nga rusët pa akuza dhe pa mundësinë për të kontaktuar një avokat. Gjatë ndalimit të saj, i vetmi kontakt që pati me botën jashtme ishte një telefonatë katërminutëshe me prindërit, plot një vit pas ndalimit. Trupi i pajetë i Viktoriias u kthye tani me shenja torture me shenja djegieje në këmbë nga goditjet elektrike, mavijosje në ije, një brinjë të thyer, ndërsa kokën e kishte të rruar, edhe pse i pëlqente shumë t`i mbante flokët të gjata, siç thotë The Guardian.
Burime pranë hetimit zyrtar pohuan se kocka hioide në qafë është thyer, e ky është një lloj dëmtimi që mund të ndodhë gjatë mbytjes. Megjithatë, vazhdon media e njohur, shkaku i saktë i vdekjes mund të mos dihet kurrë, sepse kur trupi i saj u kthye gjatë një shkëmbimi i cili bëhet i ditur vetëm tani, disa pjesë të tij si truri, sytë dhe laringu, mungonin.
Një hetim për krimet e luftës është çelur me qëllimin të ndiqen penalisht personat përgjegjës, e ‘The Guardian’ thotë se po bashkëpunon me gazetën Ukrainska Pravda për të cilën punonte 27 vjeçarja, me qëllimin të siguronte dëshmi për të rindërtuar ngjarjet që çuan në kapjen e gazetares dhe detajet e trajtimit të saj në paraburgim.
Top Channel