Rriten tensionet Indi–Pakistan pas masakrës në Kashmir! Qeveria pakistaneze paralajmëron një sulm ushtarak

30/04/2025 08:11

Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit janë rritur pas një sulmi të përgjakshëm në Kashmirin e administruar nga India, që la të vdekur 26 turistë javën e kaluar.

Qeveria pakistaneze ka paralajmëruar se India mund të ndërmarrë një sulm ushtarak brenda 24 deri në 36 orëve të ardhshme, një pretendim që rrit ndjeshëm frikën për përshkallëzim të konfliktit në një nga rajonet më të ndjeshme në botë.

Ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, deklaroi se “ka informacione të besueshme” që sugjerojnë se India synon të përdorë sulmin si një “pretekst të rremë për aventurizëm ushtarak”.

Ai theksoi se çdo veprim i tillë “do të marrë përgjigje të vendosur nga ana e Pakistanit”.

Deklaratat e tij pasojnë akuzat e Nju Delhit, që pretendon se sulmi në qytetin turistik të Pahalgamit është kryer nga militantë të mbështetur nga Pakistani, një akuzë që Islamabadi e ka hedhur poshtë.

Pahalgami, një destinacion i njohur turistik në veriperëndim të Indisë, u trondit të premten nga sulmi më vdekjeprurës ndaj civilëve në më shumë se 20 vjet. Viktimat ishin kryesisht turistë hindu. Shumë të mbijetuar thanë se autorët i kishin shënjestruar burrat hindu në mënyrë të drejtpërdrejtë.

India ka identifikuar tre nga katër sulmuesit e dyshuar, dy prej tyre shtetas pakistanezë dhe një vendas nga Kashmiri i administruar nga India. Për sulmuesin e katërt nuk ka ende të dhëna të sakta.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta