
Megjithatë, në rrjetet sociale është shënuar një numër i lartë personash që kanë publikuar votën dhe procesin e votimit në tërësi, në shtëpitë e tyre.
Në videot që shikoni në ekran janë përcjellë edhe reagimet e tyre negative për partitë. Teksa shprehin urrejtje për një forcë të caktuar, zbulojnë hapur votën për subjektin tjetër.
“Duhet të kishte një ndëshkim me rregull. Duhet të quhet e pavlefshme ajo votë kur dihet sesi ka votuar dikush. Të jetë një leksion për të gjithë pjesën tjetër të diasporës që do të vazhdojë të votojë gjatë këtyre ditëve. Dhe unë mendoj që është shumë e rëndësishme: nëse nuk kemi një qëndrim lidhur me dekonspirimin e votës, atëherë mund të bëhet qesharake i gjithë ky votim.”
Pra, po vërehet rëndom një fenomen që ishte paralajmëruar prej kohësh: cenimi i fshehtësisë së votës. Kjo përbën një shkelje të rëndë ligjore.
Janë vënë re raste kur votimet janë zhvilluar në mënyrë familjare. Nga ana tjetër, ka pasur edhe raste kur zarfet nuk u janë dorëzuar votuesve në adresën e tyre, por fqinjëve.
“Duhet të mendonim për elementët e sigurisë, koston e administrimit dhe trajtimin e ankimimeve që mund të vijnë nga diaspora. Ata janë praktikisht individë që largohen nga sistemi; sistemi paguan që ata të votojnë për sistemin. Edhe në aspektin e demokracisë kjo nuk ka sens”, u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Të gjitha këto shkelje konsiderohen vepra penale dhe janë institucionet e drejtësisë ato që duhet të ndërhyjnë për të zgjidhur çështjen. Kjo situatë i vendos institucionet ligjzbatuese përballë një tjetër problematike, pasi nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje me vendet e tjera për të mundësuar ndjekjen e rasteve të tilla.
“Ka pasur raste të publikimit të fotove apo videove duke votuar, pra duke plotësuar fletën e votimit. Në këtë rast, kjo përbën vepër penale dhe ndiqet penalisht nga organet kompetente. Si Komision Qendror i Zgjedhjeve, ne kemi bërë disa thirrje publike për ta pasur parasysh këtë fakt”, u shpreh Jona Josifi, Drejtoreshë e Drejtorisë së Votimit nga Jashtë.
Asnjë nga institucionet apo organizmat që veprojnë gjatë kësaj periudhe zgjedhore në Shqipëri nuk mund të veprojë në vendet e tjera. Rruga që mbetet është dërgimi i letërporosive, pasi prokuroria të ketë nisur hetimet, kryesisht bazuar në materialet online. Deri në atë moment, gjithçka mbetet në dorën e vetë shqiptarëve të diasporës. Por, edhe nëse ekziston vullneti, hetime të tilla mbeten të vështira, pasi kërkojnë ekspertizë të lartë kibernetike.
Top Channel