
Nga Anila Hoxha
Edhe njëherë jam kundër riemërimit në detyrë si drejtoreshë edhe me një mandat tjetër në BKH të Zonjës Aida Hajnaj. E nisa kështu, për të shuar çdo këndvështrim qoftë dhe të painformuar siç duhet, se përse po shkruaj për këtë gjë.
Por mbetem e gatshme që të ndihmohem për ta kuptuar ndryshe.
Sa vijon po sjell një dokument ekskluziv. Ndryshe nga çfarë deklarohet në Shqipëri se po ezaurohet faza e riemërimit dhe pastaj do hapet gara për të tjerët (megjithëse askund nuk thuhet në ligj që pas mbylljes pa sukses të riemërimit hapet gara), ndërkombëtarët janë vënë në dijeni nga të njëjtat institucione për një version tjetër.
Që është nisja e procesit për gjetjen e drejtorit të ri.
Ky version që i është thënë të huajve është më i ndershmi, dhe pa bojën RIEMËRIM/ KANDIDIM për të shmangur ndërlikimet e mëtejshme të boshllëqeve ligjore. Që duhet pranuar se janë aty.
Nisim me radhë, aty ku pikon çatia. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nga dhjetori pasi e zvarriti çështjen KLP lau duart si Ponc Pilati pa guxuar të refuzojë kërkesën e Aida Hajnajt për tu riemëruar. Apo të konstatonte problematikën ligjore opsioni tjetër.
Shefja e BKH ka kapur një fragment të ligjit mbi të drejtën e riemërimit që nuk sqarohet se si kryhet, megjithëse vota unanime e 11 anëtarëve tregoi se dukshëm ata nuk ndihen siç i cilëson ligji QEVERIA E PROKURORISË. KLP mund të kishte lexuar raportin e punës vjetore të BKH, dhe pa e tjerrur (meqenëse duket se institucionet janë privatizuar nga dëshirat tashmë dhe jo ligji) mund të deklaronte unanimisht: REFUZIM, NUK TË DUAM. Nëse kjo përbën logjikë pro shtet dhe jo siç po sillen që të gjithë antishtet!
Edhe pse qëndrimi I delegimit, në fakt lë të hapur problemin edhe për drejtorin e radhës, e për më tepër për një organ kolegjial i cili në vendimin e Gjykatës Kushtetuese (21 nëntor2024) në pikën 71 caktohet me kompetencë “ Drejtori i BKH, i cili emërohet dhe shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është përgjegjës për funksionimin e asaj strukture dhe nuk është në raporte të mirëfillta varësie me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme”. Kaq për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili njihet ligjërisht si organ emërtese dhe çemërtese.
2-BKH – Byroja Kombëtare e Hetimit.
Fakt mbetet që marrëdhëniet me BKH që drejtohet prej pesë vitesh nga Hajnaj nuk kanë qenë me qasjen që konfliktet të diskutohen për tu zgjidhur. Dhe kjo marrëdhënie e krisur midis SPAK dhe BKH ishte prezente edhe për ndërkombëtarët.
Hapur për ne plasi nga Neni 33 i ligjit për drejtorin e BKH. Asnjë ligj që është i gjallë sa kohë zbatohet, nuk lë hapësirë për fantazi, se si duhet të bëhet apo si është më mirë të bëhet. Aktualisht në fuqi është një thirrje publike që e ka titulluar RIEMËRIM pikërisht për shkak të këtij ngërçi që nuk ka marrë zgjidhje nga njerëzit e ligjit dhe që sa për sy e faqe duhet paketuar “të duket sikur po bëhet siç duhet”.
Zonja Hajnaj që deri në 31 gusht është drejtoreshë e BKH, duhet të sqarojë publikisht dhe jo më përmes radhës së shkresave se çfarë po ndodh dhe përse vazhdimisht është ankuar në KLP. Të gjitha palët e kanë këtë detyrim dhe jo të fshihen si struci.
SPAK !
Sot SPAK ka sqaruar përmes medias se ky proces aktualisht është hapur vetëm për drejtoreshën në detyrë zonjën Aida Hajnaj. Pra nuk ka ende një garë të hapur për drejtimin e BKH pa u djegur momenti i riemërimit që e kërkon ligji. Megjithatë nga ana tjetër për ta përsëritur, nuk shpjegohet në asnjë rresht në të njëjtin ligj se si ndodh kjo. Aq më tepër nuk thuhet se si do hapet gara kur të mbyllet pa sukses riemërimi.
SPAK sqaron çfarë po ndodh me thirrjen publike “Ky proces zhvillohet vetëm për Drejtorin në detyrë. Pas vlerësimit të kalimit te Drejtorit në detyrë të të gjitha fazave më lart, Komisioni vlerëson nëse kandidati përmbush kriteret ligjore për riemërim. Nëse nuk i kalon me sukses këto faza, atëherë Komisioni i Përzgjedhjes e konsideron të mbyllur procesin e “riemërimit” dhe shpall garën për përzgjedhjen e një Drejtori të ri të BKH-së”, shprehet zyrtarisht SPAK.
Por përtej këtij reagimi të SPAK, një qëndrim krejt tjetër ka mbajtur kjo prokurori për ndërkombëtarët.
Prokuroria e Posaçme ka raportuar për Komisionin Europian për Interim Benchmarks dhe në asnjë rresht nuk e pasqyron procesin në këtë fazë siç pretendohet se po ndodh. Aty flitet për zgjedhjen e drejtorit të ri që ka nisur!
“Në lidhje me rekomandimet mbi procedurat e emërimit për pozicionet drejtuese të SPAK (Prokuroria e posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit- BKH) në përputhje me sqarimin e ligjit 95/2016 , neni 33 , drejtuesi i prokurorisë së posaçme ka filluar procedurën duke nxjerrë urdhrin përkatës dhe duke ngritur komisionin përkatës për ZGJEDHJEN e një drejtori të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi mandati i drejtorit aktual po i afrohet përfundimit” .
Në këtë raportim vijohet edhe për ligjin shumë të diskutuar të orëve të fundit.
“Neni 33 i ligjit të lartpërmendur përcakton se komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite përvojë punë prokurorë, pas një procesi të hapur dhe transparent REKRUTIMI, duhet të rekomandojnë një kandidat për pozicionin e drejtorit të BKH, i cili më pas emërohet nga KLP. Drejtori emërohet për një mandat pesë vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Në këto kushte, lidhur me emërimin e drejtorit të BKH, procesi i rekomandimit është vënë tashmë në lëvizje duke marrë tashmë parasysh se procedura e përzgjedhjes për DREJTORIN E RI KA FILLUAR, në përputhje me ligjin dhe përmes një procesi të hapur dhe transparent”.
KAQ.
Shkresa 1 , dokument i SPAK dërguar të huajve për procesin
Shkresa 2, thirrje për riemërimin dhe garimin
Top Channel