Tragjedi në Berlin, dy të rinj humbin jetën duke bërë “sërf” mbi tren

29/04/2025 21:48

Dy të rinj, të moshës 17 dhe 18 vjeç, humbën jetën tragjikisht dje në Berlinin jugperëndimor, teksa ishin ngjitur në çatinë e një treni të linjës S-Bahn S1. Ata nuk arritën të shmangnin një urë të ulët, duke u përplasur fatalisht gjatë lëvizjes së trenit me shpejtësi prej 60 km/h.

Njëri prej tyre vdiq në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të rënda. Sipas autoriteteve, të rinjtë, të cilët po bënin të ashtuquajturin “surf të trenit”, kishin gabuar në vlerësimin e distancës dhe nuk patën kohë të hidheshin apo të shtriheshin në mënyrë që të shmangnin goditjen me urën, pika më e ulët e së cilës ndodhej vetëm 30 centimetra mbi nivelin e trenit.

Një zëdhënës i Hekurudhave Gjermane (Deutsche Bahn) u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe rikujtoi rreziqet ekstreme të kësaj praktike. “Sërfimi i trenit është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i ndaluar rreptësisht. Pavarësisht rregullave të qarta dhe shenjave paralajmëruese, njerëz të të gjitha moshave vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve me sjellje të pamatura”, theksoi ai.

Deutsche Bahn ka vite që zbaton programe informimi dhe parandalimi në shkolla, kopshte dhe stacione treni. Gjithashtu, video informuese shpërndahen në rrjetet sociale për të rritur ndërgjegjësimin. Hekurudhat paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e lartë të goditjeve elektrike nga linjat me tension të lartë pranë shinave, që mbajnë 750 volt.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në Berlin. Në shkurt 2024, një djalë 12-vjeçar u plagos rëndë pas një goditjeje me një urë, ndërsa në gusht të po atij viti, një 19-vjeçar plagosi një grua në platformë pasi u hodh nga çatia e një treni.

Të gjitha incidentet kanë ndodhur në të njëjtën linjë – S1 – që lidh pjesën veriperëndimore me atë jugperëndimore të kryeqytetit gjerman.

Sërfimi i trenave është një praktikë jashtëzakonisht e rrezikshme që përfshin ngjitjen në çatinë apo anët e jashtme të trenave në lëvizje, zakonisht për adrenalinë, për të shmangur pagesën e biletës ose për të ndarë eksperiencën në rrjetet sociale. Praktika ka shkaktuar qindra viktima në mbarë botën, sidomos në vende si Afrika e Jugut, Brazili, Rusia dhe Gjermania. Në vende të tjera, si SHBA apo pjesë të tjera të Evropës, fenomeni është më pak i përhapur, por gjithsesi mbetet shqetësues.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta