Të shtëna me armë në qytetin universitar në Suedi, raportohet për tre të vdekur/ Detajet e para

29/04/2025 19:07

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së martës në qendër të Uppsalës, një qytet universitar 70 kilometra në veri të Stokholmit, ku një person i armatosur hapi zjarr në një zonë të populluar.

Sipas mediave lokale suedeze, si pasojë e sulmit kanë humbur jetën të paktën tre persona.

Të shtënat ndodhën pak pas orës 17:00 dhe nxitën një reagim të menjëhershëm të autoriteteve, me një operacion të gjerë policor që është ende në zhvillim. Ngjarja ndodhi pranë një berberhaneje në një shesh qendror të qytetit, jo shumë larg stacionit të trenit.

Dëshmitarë okularë që folën për radion shtetërore suedeze Sveriges Radio thanë se dëgjuan disa të shtëna me armë, të cilat shkaktuan panik mes qytetarëve. Në vendngjarje mbërritën disa ambulanca dhe forca të shumta policore, ndërsa autoritetet konfirmuan edhe të plagosur, për të cilët ende nuk ka detaje mbi gjendjen e tyre.

Policia nuk ka bërë ende të ditura informacione mbi autorin apo motivet e mundshme të sulmit. Hetimet janë në fazë intensive dhe zona e incidentit vijon të jetë e rrethuar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën dhe të bashkëpunojnë me forcat e rendit, ndërsa opinioni publik në Suedi është i tronditur nga ky akt dhune në zemër të një qyteti të njohur për qetësinë dhe jetën studentore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta