Lufta Ukrainë-Rusi, Zelensky: Jemi gati për bisedime më SHBA-në për sanksione të reja ndaj Moskës

29/04/2025 22:51

Ukraina është e gatshme të bisedojë me Shtetet e Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për të ushtruar presion mbi Moskën që t’i japë fund luftës, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ne po zgjedhim pikat e dhimbshme të Rusisë që do ta inkurajojnë më shumë Moskën të angazhohet në diplomaci. Ata duhet të ndërmarrin hapa të qartë për t’i dhënë fund luftës dhe ne këmbëngulim që një armëpushim i pakushtëzuar dhe i plotë duhet të jetë i pari. Rusia duhet ta bëjë këtë”, tha ai në fjalimin e tij të përditshëm.

Pas takimit me Zelenskyn në Vatikan para funeralit të Papa Françeskut të shtunën, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump lëshoi ​​një kritikë ndaj homologut të tij rus Vladimir Putin.

“Nuk kishte asnjë arsye që Putini të qëllonte me raketa në zona civile, qytete dhe qyteza, gjatë ditëve të fundit”, shkroi Trump në TruthSocial. Në javën para funeralit të Papës, Rusia nisi sulmin më vdekjeprurës në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, që nga vera e kaluar.

“Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalë luftën, thjesht po më shtyn mua dhe duhet të trajtohet ndryshe, përmes ‘Bankimit’ apo ‘Sanksioneve Dytësore?’ Shumë njerëz po vdesin!!!”, tha Trump.

Zelensky nuk dha detaje të mëtejshme rreth kohës kur do të zhvillohen bisedimet me zyrtarët amerikanë, apo fushëveprimit të sanksioneve të reja të mundshme. Por komentet e tij ofrojnë prova të mëtejshme se SHBA-të mund të jenë duke menduar të ushtrojnë më shumë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës sesa bënë për pjesën më të madhe të 100 ditëve të para të mandatit të dytë të Trump.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta