Hiqej si përfaqësues i bankës/ U kërkonte qytetarëve të dhënat dhe u vidhte paratë, kapet i riu francez që mashtroi qindra shqiptarë

28/04/2025 08:32

23 vjeçari francez Adem Said në vendin tonë ai nuk erdhi si turist por me një mision të qartë, të tërhiqte paratë e marra me anë të mashtrimit qindra qytetarëve shqiptarë.

Said, me njohuri mjaft të mira informatike kishte marrë kontaktet e klientëve të një banke të nivelit të dytë dhe u kishte nisur një mesazh duke u thënë që llogaria e tyre ishte çaktivizuar dhe për ta aktivizuar duhet të klikonin një link që kishte emrin e bankës, por në të vërtetë aksesohej prej tij.

Në këtë link kërkoheshin të dhëna personale të klientit dhe të llogarisë bankare të tij. Pasi qytetarët plotësonin formularët me të dhëna bankare personale, Said më pas i përdorte për të tërhequr para nëpërmjet bankomateve (ATM) dhe aplikacioneve bankare të instaluara në celulare.

Gjatë prillit qindra shqiptarë ranë pre e këtij mashtrimi që u evidentua qoftë nga banka ashtu edhe nga policia e cila nisi hetimet

Por fryti i kësaj pune nuk mundi të vilej prej 23 vjeçarit pasi kur mbërriti në Shqipëri për të tërhequr paratë, u arrestua në flagrancë, si dhe iu sekuestruan 3 aparate celularë.

Sipas bluve, Said nuk ka vepruar i vetëm, prandaj po vijojnë hetimet për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta