
Sot u nënshkrua marrëveshja e partneritetit mes QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita- Salute San Raffaele”.
Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat me zëvendës Presidentin e grupit më të madh privat italian të Kujdesit Shëndetësor GSD Grupi San Donato, Kamel Ghribi.
Rama: Në fund dua t’i bëj një falënderim shumë të veçantë presidentit të grupit San Donatos. Jemi njohur në fakt para pak kohësh dhe jam shumë i nderuar nga miqësia e tij, si gjithmonë në këto raste, kisha kohë që isha qepur San Donatos, po nuk po gjeja rrugën si të arrija deri tek habibi.
Dhe më në fund u gjet dhe rruga. Tani jemi vërtete bashkë dhe gjëja më e kënaqshme për mua është që kur Kameli erdhi në Shqipëri për herë të parë me hezitim të madh për hir të së vërtetës, mbeti aq i impresionuar sa në një kohë shumë të shkurtër, kjo është hera e tretë apo e katërt që vjen dhe e shikon perspektivën e këtij bashkëpunimi me një dritë dhe më të fortë sesa ajo që shoh unë. Dua të falënderoj dhe ambasadorin, i cili është këtu i pranishëm.
Qeveria italiane është një qeveri me të cilën ne kemi një marrëdhënie të posaçme. Italia është një vend me të cilin ne kemi një marrëdhënie të posaçme dhe tanimë ka gjithmonë e më shumë përfshirje nga ana e qeverisjes italiane në nisma konkrete si kjo që po bëjmë sot që ka dhe bekimin e qeverisë italiane. Se këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për shkëmbim informacioni apo shkëmbim eksperiencash, por bëhet fjale dhe për investime të konsiderueshme që ne do t’i bëjmë së bashku. Ju falënderoj shumë dhe shpresoj që isha më shkurt se zakonisht.
Top Channel