
Nga Lorenc Vangjeli
Për demokratët është “eureka”e fitores. Për socialistët është shkelje e ligjit dhe kodit zgjedhor. Për SPAK-un është lëndë për t’u verifikuar.
Në peisazhin bardh e zi të politikës militante shqiptare ku mungojnë nuancat dhe palët janë të ndara në skaje, aty ku njëra sheh dritë, tjetra betohet për terrin më të thellë. Kontrata e lobimit të PD-së me një kompani amerikane është një nga shembujt më ulëritës të këtij pohimi. Në fakt, as entuziazmi i opozitës dhe as akuzat e maxhorancës nuk thonë të vërtetën e plotë. Dhe as premtimi për verifikim nga SPAK nuk ka asnjë shans t’i nxjerrë palët nga llogoret e mosbesimit. E vërteta edhe njëherë si përherë nuk qëndron në skaje, por gjendet diku në mes. Dhe ka një sërë faktorësh që e vërtetojnë një gjë të tillë.
E para, entuziazmi i demokratëve është real. Mbas një periudhe shumë të gjatë izolimi ata kanë mundur të hapin një kanal komunikimi me anë të lobimit me qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Duke gjykuar nga thellësia e humnerës që ishin zhytur ish-sovranistët e djeshëm në marrëdhëniet me anën tjetër të Atlantikut, kjo nxjerrje koke mbi sipërfaqe është realisht një moment për t’u mbushur me frymë. Dhe nga ky këndvështrim, pavarësisht rezultatit konkret të kontratës, shifra e frikshme e disa milionë dollarëve që pritet të shpenzohen, ja ka vlejtur paraprakisht në çdo qindarkë të saj. Emrat e përfshirë në kompani janë pjesë e afërt e Presidentit Trump dhe si të tillë, ata besohet se kanë mundësi praktike për të realizuar alkiminë e premtuar dhe shndërrimin e demokratëve në promerikanë të përbetuar.
E dyta, skepticizmi i socialistëve është gjithashtu real. Shifra e premtuar për t’u shpenzuar është bombastike. Natyrisht, në kuptim të ligjit, ajo nuk përfshihet në shpenzimet e fshehura të fushatës që PD apo dhe vetë PS, kryejnë për procesin. Por nga ana tjetër, ato dëshmojnë për një potencial financiar të jashtëzakonshëm të PD-së, për një lumë parash që vetë PS-ja ja njeh mirë përrenjtë që e mbushin nëpërmjet tenderave të rinj, koncesioneve të vjetra apo edhe direkt nga antarë të qeverisë. Eshtë një sekret publik i njohur herët në Tiranë, që njerëz të rëndësishëm të maxhorancës paguajnë në mënyra të ndryshme atë që në Itali njihet si “il pizzo”: para e favore të tjera në këmbim të mossulmimit të tyre. Socialistët ndjehen të frustruar nga ideja se ata mund të humbin eskluzivitetin në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Me një president atipik dhe të paparashikueshëm si Trump, ata ndruhet se nga ana tjetër e Atlantikut mund të vijnë edhe mandata të paimagjinueshme.
E treta, SPAK-u nxitoi të përfshihet në këtë histori në ditë pushimi. Nëse do të heshtte do ta sulmonte njëra palë, nëse do të shprehej, siç e ka edhe detyrim ligjor, do ta masakronte pala tjetër. Lënda mbi të cilën SPAK mund të përqëndrojë hetimet është shumë e ngushtë dhe pothuaj e papërshtatshme; një nen kushtetutues, një ligj 25 vjeçar dhe pak i amenduar për financimin e partive politike dhe kodi zgjedhor. Edhe pse kontrata u firmos në kohë fushate dhe ndikon direkt në fushatë, ajo nuk është shpenzim elektoral. Eshtë kontratë lobimi. Ajo do të deklarohet vitin tjetër në KQZ. SPAK do të vërejë se ligji që ndalon partitë politike që të përfitojnë “…dhurime financiare e materiale nga qeveri, entitete publike e private të huaja”, lejon njëkohësisht ndihma që vijnë nga “…parti ose unione ndërkombëtare partiake, organizata apo fondacione politike shqiptare dhe të huaja”. Një diferencë e vogël mes çfarë lejohet e çfarë ndalohet që i jep mundësi akuzës publike që ta shohë ligjin si një llastik që tërhiqet, por nuk këputet. Por PD -ja do të detyrohet të dëshmojë shtetësinë shqiptare të çdo “dhuruesi” parash në favor të saj; nëse ndër ta ka shtetas të huaj, atëherë ky do të jetë një faull klasik penal.
Këto tre pamje përjashtuese të njëra-tjetrës megjithatë nuk tregojnë plotësisht të vërtetën. Thelbi i kësaj që ka ndodhur qëndron në faktin që kjo kontratë lobimi ka vlerë deri në datën 11 maj. Dhe në funksion të kësaj date edhe janë parapaguar 750 mijë dollarë. Në këmbim të kësaj shume, lobimi përfshin në mënyrë maksimale heqjen e non gratës për Sali Berishën, një vizitë të mundshme të tij me një vizë të posaçme në SHBA apo edhe një komunikim me video me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshi ndoshta, edhe sekretarin e shtetit. Pjesa tjetër nuk ka pikën e rëndësisë. Në rast se humb zgjedhjet, Berishës nuk do t’i hyjë në punë edhe sikur ta bëjnë qytetar nderi të Ëashingtonit. Ndërsa në rast triumfi, si 6 milionët e firmosur, si të paguajë 66 milion të tjera për lobim, do të jetë e njëjta gjë. Ato do të jenë vetëm qindarka për mundësinë që kanë qeveritë në Shqipëri për të gjeneruar fonde që nuk dihet se ku vijnë dhe bëhet hallall aty ku mbërrijnë.
Mbas 12 majit, varësisht rezultatit të zgjedhjeve, Berisha mund të thotë për herë të dytë në jetën e tij: Mbas meje qameti! Ai nuk do të jetë i shqetësuar as për fatin e Nuredinit, një lojtar periferik i këtij operacioni ndërkombëtar, dhe as për fatin e Flamurit nënshkrues të konktratës, që zgjodhi të jetë rrufepritësja e kësaj loje lokale për hir të besnikërisë së tij që e çoi në sakrificë. E gjithë kjo zhurmë e krijuar nga kontrata e lobimit do të shuhet dhe do të jetë vetëm pjesë e kronikës të zgjedhjeve të deformuara shqiptare. Si përherë!
Top Channel