
Një festë e komunitetit filipinas u kthye në tragjedi në Vankuver, pasi një makinë fuoristradë u përplas me një turmë njerëzish gjatë Festivalit të quajtur “Lapu Lapu”. Ngjarja ndodhi në mes të festimeve në lagjen jugore të qytetit, duke shkaktuar disa viktima dhe shumë të plagosur.
Sipas autoriteteve lokale, shoferi i mjetit është arrestuar menjëherë pas krimit. Policia ende nuk ka dhënë detaje mbi motivet e mundshme të këtij sulmi, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Kryetari i Bashkisë së Vankuverit, Ken Sim, reagoi menjëherë pas lajmit, duke u shprehur i tronditur dhe thellësisht i trishtuar.
“Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur dhe me komunitetin filipinas të Vankuverit në këtë kohë tepër të vështirë.”, tha ai.
“Deri në këtë moment, mund të konfirmojmë se nëntë persona kanë humbur jetën pasi një burrë përplasi turmën me makinë gjatë Festivalit Lapu Lapu mbrëmë. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident tragjik”, thuhet në deklaratën e policisë.
Festivali mban emrin e Lapu Lapu-së, një luftëtar indigjen nga Filipinet që në shekullin e 16-të u bë simbol i rezistencës kundër kolonizimit spanjoll. Ai konsiderohet një hero kombëtar në Filipine, dhe dita e tij përkujtohet si një moment krenarie dhe bashkimi për komunitetin filipinas në mbarë botën.
Top Channel