
Hamasi është i hapur për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza, që përfshin lirimin e vetëm të të gjithë pengjeve të mbetur, si dhe një ndërprerje pesëvjeçare të armiqësive.
Këtë e deklaroi një zyrtar i grupit terrorist për timesofisrael.com.
Hamasi është gati për një shkëmbim të vetëm të të burgosurve dhe një armëpushim pesëvjeçar, u shpreh zyrtari duke folur në kushte anonimiteti, ndërsa një delegacion nga grupi i tij do të takohej me ndërmjetësuesit në kryeqytetin egjiptian Kajro.
Më 17 prill, Hamasi, i cili kundërshton një marrëveshje “të pjesshme” armëpushimi, hodhi poshtë një propozim izraelit që do të kishte kërkuar një armëpushim 45-ditor në këmbim të kthimit të 10 pengjeve të gjallë.
Grupi radikal palestinez, vazhdimisht ka bërë thirrje për një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës së shkaktuar nga sulmi ndaj Izraelit, më 7 tetor të vitit 2023. Po ashtu kërkon një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza, një shkëmbim të të burgosurve dhe ndihmë humanitare të menjëhershme e të mjaftueshme për të hyrë në Rripin e Gazës.
Grupi tha se ishte i gatshëm të diskutonte ide të reja, por nuk donte të çarmatoste Hamasin.
Benjamin Netanyahu ka thënë se udhëzoi ushtrinë izraelite që të intensifikojë presionin ndaj Hamasit, pasi grupi militant palestinez refuzoi një propozim të përkohshëm armëpushimi.
Në një fjalim televiziv, kryeministri izraelit deklaroi se ndërsa lufta erdhi me një çmim të rëndë, Izraeli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte të luftonte për ekzistencën deri në fitore.
Aktualisht, Hamasi po mban 59 pengje, ku 24 prej tyre besohet se janë gjallë. Ky grup i shpallur “terrorist” nga Amerika dhe Bashkimi Europian thotë se do t’i kthejë ata vetëm në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinezë, një tërheqjeje të plotë izraelite nga Gaza dhe një armëpushimi të qëndrueshëm, siç kërkohet në marrëveshjen e armëpushimit tashmë të prishur e që ishte arritur në fillim të këtij viti.
Më 4 prill, ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një ofensivë të re tokësore në lindje të Qytetit të Gazës, me qëllim që të zgjerojë zonën e sigurisë që ka krijuar brenda enklavës palestineze. Izraeli tha se trupat e tij kanë nisur të kryejnë aktivitete ushtarake në zonën Shejaija, në veri të Gazës.
Top Channel