Analizë nga Preç Zogaj: Zgjedhjet e 11 majit pa asgjë të re ose të fundit e tranzicionit

27/04/2025 16:22

Nga Preç Zogaj

Kam një shoqe të vjetër që merret me kërkime në Universitetin “Kolumbia” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka emigruar atje prej çerek shekulli. Vjen herë pas herë në Shqipëri, jo aq shpesh, por edhe jo shumë rrallë. Sa herë ka ardhur më ka treguar se pas përshtatjes me ndryshimin e orës së Shqipërisë me atë të Amerikës, gjë që u ndodh të gjithë udhëtarëve që kalojnë oqeanin, i është dashur të përballet me një çrregullim shumë më të madh. Me atë të mospërputhjes së të tashmes në Nju Jork me të tashmen në Shqipëri nisur nga ajo që dëgjon e sheh në lajme, në Parlament, në debate, në fushata elektorale.

Ketë Shqipëri politike e gjen të djeshme e pardjeshme, si të jetë ndaluar koha. Pothuajse identike me atë që ka lënë herën e kaluar dhe herën tjetër para herës së kaluar dhe herën e herës tjetër para herës së herës së kaluar.

Të njëjtat fytyra në krye të partive tradicionale, të cilët i dorëzojnë kohës, ngaqë nuk mund të bëjnë ndryshe, vetëm rrudhjen, plakjen dhe pasojat që vinë me konsumimin, vjetërimin. E njëjta gjuhë e tyre në tribuna dhe ekrane, ku simulojnë ashpërsinë për të maskuar ngjashmërinë, ku simulojnë ndryshimin ngaqë nuk e kanë të natyrshëm, organik.

I njëjti fjalor, e njëjta mungesë e lëmimit të gjuhës dhe etikës që nuk lejon bisedën normale, debatin me thelb.
E njëjta papajtueshmëri për tema dhe çështje që nuk e përligjin papajtueshmërinë, siç është për shembull ajo e integrimit në Bashkimin Europian.

E njëjta sindromë e vitit zero nga ai që vjen në pushtet dhe e atij që do të vijë në pushtet, sikur gjithçka ka filluar me ta dhe do të vazhdojë veç me ta, ndërsa pala kundërshtare nuk ka bërë asgjë. Pavarësisht se çdo qeveri ka një evidencë veprash e arritjesh që mbeten. Pavarësisht se koha ka punuar e punon, se vendi ka ndryshuar e ndryshon.
Të njëjtat tema në shqyrtim, të njëjtat trajtime, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa që gjuha nuk ka fuqi t’i shprehë.

E njëjta vështirësi për të pranuar ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e fushës së veprimit të politikës.

“A po ndryshon Shqipëria”? më pyeti para pak muajsh jo pa humor shoqja ime, duke patur parasysh afrimin e fushatës elektorale.
Do t’i thosha: Shih fushatën e dy partive kryesore dhe shkruaj. Kopje të fushatave të mëparshme. Rama me gjuhën denigruese, me ekravagancat skenike, me maninë për t’u sjellë si i bukuri i grave, me sindromën e vitit zero sikur para tij s’ka ngulur kush një gozhdë në Shqipëri. A thua se para se të vinte në pushtet ka pas shkuar në Kosovë, në Vlorë a në Korçë me kalë ose më këmbë e jo me autostrada e rrugë të rindërtuara.

Berisha është infektuar edhe ai me sindromën e vitit zero, duke predikuar lart e poshtë se nuk është bërë asgjë e mirë gjatë këtyre dymbëdhjetë vjetëve. Kur në fakt janë bërë edhe gjëra të mira që do ta nderonin e rrisnin besueshmërinë e opozitarit kur i njeh. Mund të përmendim për ilustrim bumin turistik, të cilit vërtetë do t’i vinte koha, por jo pa krijuar disa kushte të domosdoshme dhe jo pa një projekt të suksesshëm të promovimit të vendit në Europë dhe në botë.

Kryedemokrati më të tijtë “e luftojnë” kryeministrin tashmë rekordmen të jetëgjatësisë në pushtet njëlloj si në mandatin e parë, me të njëjtat fjalë dhe terma, me të njëjtën histeri. Pa marrë në konsideratë kohën që shkon, kohën që dikton risi në strategjitë dhe taktikat e komunikimit me publikun dhe përballjes me kundrështarin. Pa mbajtur parasysh të rejat në ekuacionin e zhvillimeve, siç është faktori SPAK, që nuk ka qenë i përfillshëm më parë.

Nuk mund të presësh rezultate të ndyshme duke bërë të njëjtat gjëra. Në të vërtetë PD e Berishës ka bërë disa akte që mund t’i bënte vetëm një parti që nuk e ka problem të mos vijë në pushtet. Siç është për shembull miratimi i ligjit zgjedhor deledash dhe, si të mos mjaftonte ligji, thellimi i ndarjes në patricë dhe plebenj me listën e kandidatëve.

Tamburet e fushatës dhe retorika e “luftës vendimtare” nga dy partitë kryesore do të ushtojë me fort në ditët e mbetura.

Në kontekstin e kohës që shkon dhe proceseve në zhvillim, ku spikat lufta me ligj e organeve të drejtësisë kundër korrupsionit të lartë, janë të gjitha premisat që kjo e 11 majit të vitit 2025 të jetë e fundit fushatë elektorale pa të reja e një elite politike të korruptuar dhe të kyçur në modele të tejkaluara. E fundit e tranzicionit si e tillë.
Pluralizmi do të jetë i vërtetë, për rrjedhim më efektiv. Partitë dhe drejtuesit e tyre nuk do të shtiren si të ndryshëm në sytë e ndjekësve, duke bërë sikur luftojnë ndërsa nën tryezë ndajnë bonuse dhe përfitime. Do të jenë realisht të ndryshëm në ide dhe vizione alternative. Gjuha dhe komunikimi do të kenë më shumë thelb dhe etikë dhe shumë më pak ndotje.

Politika në plan të parë do të shkëmbejë vendin me lirinë; sundimi i parisë do t’ja lërë vendin sundimit të ligjit; partishmëria do të gjejë ekulibrin me intelektualen; fituesit do të fitojnë duke njohur çfarë është arritje me peshë e kundërshtarit; humbësit do t’i shtëngojnë dorën fituesit…

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta