
Një incident i tensionuar ndodhi të mërkurën jashtë një konference politike në qytetin Gembloux, ku presidenti i partisë belgë të qendrës së djathtë Lëvizja Reformiste (MR), Georges-Louis Bouchez, u përball me një pritje të ashpër nga protestues të lidhur me sindikatën socialiste FGTB.
Sapo kishte mbërritur në vendngjarje për të marrë pjesë në një konferencë partie, Bouchez u përball me një grup protestuesish që nisën të bërtisnin ofendime, t’i tregonin gishtin e mesit dhe në fund e qëlluan me një gotë birrë.
“Kisha rënë dakord, siç bëj gjithmonë, të debatoja me sindikalistët socialistë para konferencës sonë,” shkroi Bouchez në rrjetet sociale pas ngjarjes. “Por një nga anëtarët e tyre më hodhi një gotë birrë, ofendime, kërcënime dhe gjeste të turpshme. Policia u detyrua të ndërhynte.”
Pavarësisht incidentit, Bouchez tha se zgjodhi të qëndrojë dhe të përballet me protestuesit, në vend që të kërkonte mbrojtje policore, për të treguar se nuk trembet nga presioni i rrugës.
Por sindikata FGTB ofroi një version tjetër të ngjarjes. Sipas tyre, ishte vetë Bouchez që provokoi protestuesit, të cilët ndodheshin aty për një bisedë paqësore jashtë kongresit.
Blijkbaar wel, maar dan vooral voor u. Wie valt Bouchez aan volgens u? pic.twitter.com/li4X8meVyj
— Oliver Moereels (@OliverMoereels) April 25, 2025
“Faktet janë të qarta: ai ishte ai që akuzoi demonstruesit.Sa për gotën e birrës, të gjithëve u vjen keq, madje edhe shërbimi i tij i sigurisë vërejti se ajo vinte nga brenda dhomës,” shkroi në rrjetet sociale sekretari rajonal i FGTB, Jonathan Hubert.
Ai e cilësoi ngjarjen si “një inskenim të qëllimshëm” dhe akuzoi presidentin e MR për nxitje tensioni në vend të dialogut. “Ky nuk është koncepti ynë për debatin demokratik,” shtoi Hubert.
Kjo përplasje e re vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes qeverisë belgë – të udhëhequr nga forca të qendrës së djathtë, përfshirë MR – dhe sindikatave janë përkeqësuar ndjeshëm.
Reformat ekonomike dhe politikat e reja të pensioneve kanë shkaktuar zemërim të madh mes sindikatave, të cilat i konsiderojnë si të dëmshme për të drejtat e punëtorëve.
Ngjarja në Gembloux është një tjetër shenjë e përplasjes së thelluar sociale në Belgjikë, ndërsa vendi po i afrohet zgjedhjeve dhe debatet për politikat ekonomike dhe sociale intensifikohen.
Top Channel