
Këshilli Drejtues i RTSH zgjodhi të premten Eni Vasilin për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, me shumicë të cilësuar prej 7 votash, një prej të cilave e ka marrë nga opozita.
Nëpërmjet votimit të fshehtë, Vasili u votua nga 7 anëtarë të Këshillit. 3 vota shkuan për Zoje Jakaj (Marashi) dhe 1 votë për kandidatin Engjëllush Musai. Të tre kandidatët arritën të kalojnë në seancën e dytë, pasi një ditë më parë nuk u përmbushën kushtet statutore të votimit.
“Votimi i dytë për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar rezulton të jetë i suksesshëm, pasi arrin të realizojë nevojën statutore të Radio Televizonit Publik Shqiptar për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm prej 3/5 të anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kandidatja Eni Vasili zgjidhet Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar me 7 vota. Suksese zonja Vasili!” u shpreh kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli.
Në bazë të statutit të RTSH, Vasili pritet ta ushtrojë detyrën në 5 vitet që vijnë.
Procedura e paligjshme e zgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH-së të ndërmarrë në fillim të këtij viti, bëri që Parlamenti të votonte për shkrirjen e Këshillit të vjetër drejtues.
Më 27 janar 2025, Këshilli Drejtues zhvilloi një votim të fshehtë për përzgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH-së. Nga 10 kandidatë fillestarë, pesë u skualifikuan për mungesë dokumentacioni, ndërsa tre të tjerë u përjashtuan në këtë fazë. Në garë mbetën vetëm Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza.
Pas akuzave për shkelje të procedurave dhe mungesë transparence, Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Median kërkoi pezullimin e procesit. Si rezultat, Këshilli Drejtues vendosi të pezullojë procesin deri pas një seance dëgjimore në Komision.
Më pas Kuvendi ndërmori iniciativën për ta shkrirë Këshillin Drejtues, duke votuar emrat e 11 anëtarëve të rinj.
Top Channel