
Dëshmon për herë të parë në GJKKO Dritan Rexhepi lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e shënuar në janar 2020, një proces që po ndiqet nga afër nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Në dëshminë e tij, Rexhepi, që akuzohet se ka urdhëruar rrëmbimin e tij, ka deklaruar se nuk ka gisht në ngjarje dhe se akuzën ndaj tij e ka marrë vesh nga familjarët.
“Nga familjarët mora vesh që akuzohesha për një rrëmbim të një personi që ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes një familjari tim, nuk mora dot.
Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë që ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës.
Ju keni hipur në trenin e gabuar dhe kërkoni të shkoni atje ku doni ju. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Doni ta bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë.
Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi cfarë bëj unë, jo ç’thonë ata të tjerët. Nuk keni bërë asnjë lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet?”- ka deklaruar ai.
Top Channel