
Nga Dr. Arben Ramkaj – Kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Ndërfetar, Shqipëri
Ngjarja që tronditi Kaçanikun, ku një i mitur dyshohet për përfshirje në vrasjen e një efektivi të Policisë së Kosovës, është ende nën hetim. Motivi ekstremist është vetëm një pistë – por është një pistë që shqetëson. Dhe me të drejtë. Sepse, nëse një i mitur, në zemër të shoqërisë kosovare, percepton dhunën si përgjigje, atëherë jemi përballë një reflektimi më të gjerë: kush po formëson botëkuptimin e të rinjve tanë?
Nuk është më risi të themi se edukimi tradicional – ai i familjes, shkollës, besimit – po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga platformat sociale. TikTok-u, YouTube-i dhe rrjete të ngjashme nuk janë më thjesht burime argëtimi. Janë bërë burime formësimi, ku herë pas here arroganca, urrejtja apo dhuna shiten si guxim, bindje apo besim.
Brenga shtohet kur shohim që përmbajtje të lidhura me shtetin famëkeq të ISIS-it qarkullojnë dhe përdoren si sfond për video të thjeshta, madje edhe argëtuese, nga të rinj shqiptarë. Kjo nuk nënkupton gjithmonë dakordësi me përmbajtjen, por tregon një normalizim të simbolikës së dhunshme, e cila nuk duhet të nënvlerësohet.
Përballë kësaj situate, ne nuk kemi luksin të jemi spektatorë. Duhet të ndërtojmë me kujdes, pa zhurmë të tepruar, por me vullnet dhe qëndrueshmëri, institucione të këshillimit fetar që ofrojnë prani, dialog dhe orientim. Kjo nuk është thirrje vetëm për komunitetet fetare, por edhe për shtetin dhe shoqërinë në tërësi. Edukimi shpirtëror, kur jepet në kohë dhe me urtësi, është një pengesë natyrore ndaj çdo forme devijimi.
Kosova ka treguar vullnet për të bashkëpunuar ngushtë me Bashkësinë Islame në çështje që lidhen me sigurinë dhe edukimin fetar. Por rasti i Kaçanikut tregon se kemi nevojë për mekanizma më të thelluar dhe të institucionalizuar, veçanërisht për të rinjtë që shfaqin prirje të radikalizuara. Ata nuk kanë nevojë të përjashtohen. Kanë nevojë të dëgjohen, të kuptohen, dhe të udhëhiqen me maturi.
Përvoja ndërkombëtare ofron modele që mund të studiohen. Si Franca dhe vende të tjera evropiane e myslimane, përfshirja në akte ekstremiste shihet jo vetëm si vepër penale, por si një shkelje e rëndë e parimeve të qytetarisë – madje në disa raste shoqërohet me masa administrative të forta, si heqja e nënshtetësisë.
Ne nuk duam të arrijmë aty. Ne kemi ende mundësi të veprojmë me mjete edukimi, këshillimi dhe parandalimi. Besimi është mëshirë, drejtësi dhe paqe. Dhe këto vlera duhet të mbërrijnë të qarta e të besueshme te ata që kanë më shumë nevojë për to: të rinjtë.
Nuk kemi nevojë për panik. Por kemi nevojë për qartësi.
Sepse në çështje të tilla, mosveprimi nuk është neutralitet. Është shmangie nga përgjegjësia.
Top Channel