Papa kërkoi varrim të thjeshtë, amaneti i Françeskut: Varr në tokë jashtë Vatikanit

22/04/2025 12:17

Nga Buenos Aires-i deri në Paris ku u fiken dritat e Kullës Eifel, bota po kujton Papa Françeskun.

Trupi i Papa Françeskut ndodhet sot në Santa Marta kapelën ku Papa ka kremtuar meshë gjatë gjithë pontifikatit të tij, dhe që mbrëmë ka nisur përgatitja për t’i dhënë Atit të Shenjtë lamtumirën e fundit.

Nesër trupi i Papa Franceskut do të dërgohet në Bazilikën e Shën Pjetrit ku do ekspozohet për besimtarët deri pak orë para varrimit të shtunën në orën 10.00, ditë kjo e vendosur nga mbledhja e kardinalëve në Romë, pasi protokolli i përcaktuar në kushtetutën apostolike Universi Dominici Gregis, përcaktonte qartë se varrimi duhet të mbahej “midis ditës së katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së Papës”, pra ndërmjet të premtes dhe të dielës.

Ndërkohë që prej mëngjesit të sotëm ka nisur kongregacioni i parë i përgjithshëm, një mbledhje përgatitore që paraprin Konklavës. Papa Françesku ka lënë edhe amanetin e tij, një testament të shkruar më 29 qershor të vitit 2022 ku është shprehur se dëshironte të varrosej në një varr “të thjeshtë”në Bazilikën  Shën Marisë së Madhe në Romë dhe pa dekorime të veçanta. “Varri duhet të jetë në tokë, i thjeshtë, pa dekorim të veçantë dhe me mbishkrimin e vetëm: Francisco”, ka thënë Papa në testamentin e tij, i cili u publikua nga Vatikani.

Ndërkohë ka kërkuar të ketë që vendi i tij i prehjes të ketë vetëm mbishkrimin e emrit të tij në latinisht “Franciscus”. Papa Francesku bëhet kështu i pari Papë në më shumë se një shekull që varroset jashtë Vatikanit. Rregullat e rrepta për funeralet e papëve nuk ishin në gustot e Papa Françesku ndaj edhe rishikoi ritin dhe për të nuk do të përdoret më arkivoli i trefishtë prej qiparisi, plumbi dhe lisi por vetëm një arkivol i thjeshtë; nuk do të ketë as katafalk për ekspozimin në bazilikë, dhe as pastorali papnor nuk do të vendoset pranë arkivolit.  Në funeral pritet të marrin pjesë udhëheqës politikë nga e gjithë bota, mes tyre edhe presidenti amerikan Donald Trump ka, së bashku me zonjën e parë, Melania.

Papa Françesku 88-vjeç ndërroi jetë nga një sulm në tru, sipas Vatikanit, ndërsa pak minuta më pas i ndaloi së funksionuari edhe zemra. Ai i zgjodh Papë në vitin 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, dhe e kishte zgjedhur emrin Françesk, si nderim ndaj Shën Françeskut të Asizit dhe veprave të tij ndaj të varfërve. Papa Françesku ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, dhe i pari Papë nga Amerika Latine i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër luftës dhe për kujdesinë ndaj të varfërve.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta