Mitsotakis “shpërndan” para/ Masa mbështetëse prej 1.1 miliard euro pas suficitit primar rekord të Greqisë

22/04/2025 21:29
Parlamenti i Greqisë

Me anë të një mesazhi televiziv drejtuar grekëve kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka shpallur masa të reja ekonomike të përhershme me vlerë 1.1 mld euro për të mbështetur 2.7 milionë qytetarë, pas suficitit rekord që Greqia regjistroi për vitin 2024.

Sikurse ka sqaruar Mitsotakis, këto para do të shkojnë për të ndihmuar qytetarët në kuadrin e gjerë të politikave të strehimit në një kohë kur qiratë e shtëpive thuajse janë dyfishuar në krahasim me dy vite më parë, tek shtresa e varfër e pensionistëve dhe tek programi i investimeve publike. Me përmirësimin e ekonomisë së vendit, do të përmirësohet edhe gjendja financiare e qytetarit, tha ai.

“Unë e di se sa e vështirë është të kalojnë muajin bashkëqytetarët tanë që jetojnë me qira dhe lehtësimi i tyre është prioriteti im i parë. Prandaj vendosëm që çdo vit dhe konkretisht në muajin nëntor shteti t’u kthejë qiramarrësve një qira të plotë, për t’u lehtësuar shpenzimet”, u shpreh kryeministri grek.

Përveç rikthimit të një qiraje në vit tek gati 950000 qiramarrës, pensionistët me të ardhura të ulëta, ata të pasiguruar dhe personat me aftësi të kufizuara do të marrin një ndihmë prej 250 euro në vit në muajin nëntor, ndërsa programit të investimeve publike do ti shtohet një shumë prej 500 milionë euro.

Shuma maksimale e rimbursimit për banesën kryesore me qira është 800 euro, kur të ardhurat e një çifti janë deri në 28000 euro në vit.

Masat në fjalë u shpallën pasi Instituti Kombëtar i Statistikave deklaroi se Greqia arriti një suficit primar rekord prej 4.8% të PBB-së ose e thënë ndryshe 11.4 mld euro dhe një suficit fiskal përfundimtar prej 1.3% dhe sipas rregullave të reja fiskale në fuqi në Bashkimin Evropian, suficiti shtesë i vitit 2024 mund të përdoret këtë vit.

Kritikave nga opozita greke se “suficiti i tepërt” rezulton nga rritja e barrës tatimore të qytetarëve dhe rritja e çmimeve , qeveria ju përgjigjet se ka ulur mbi 72 taksa direkte, indirekte dhe kontribute, ka luftuar kundër evazionit fiskal, zhvillimi ekonomik ka sjellë rritjen e vendeve të punës dhe ka kursyer kostot në sektorin publik, nëpërmjet luftës kundër shpërdorimeve të fondeve publike.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta