
Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë gazetarit, Elton Qyno, lidhur me kërkimet e parashtruara në padinë e tij kundër sekuestrimit të pajisjeve elektronike që kishte në pronësi, kontrollit në banesë, në vendin e punës dhe atë personal, të kryera pas një hetimi të nisur nga SPAK për nxjerrje të sekretit hetimor.
Në një njoftim të shpërndarë mbrëmjen e të martës më 22 prill, gjykata shprehet se ka arritur në përfundimin se Qyno legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, që është kundërshtuar prej tij deri në Gjykatën e Lartë.
Lidhur me pretendimet për lirinë personale, gjykata konstaton se nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Për pretendimet e tjera të ngritura prej kërkuesit, është vlerësuar se ai nuk i ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.
Në trajtimin e themelit të çështjes, gjykata thotë se është ndalur në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, KEDNJ-së, duke arritur në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit.
“E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë”, arsyeton Gjykata Kushtetuese.
Sipas gjykatës, e drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.
Vendimet gjyqësore të Gjykatave të Posaçme dhe Gjykatës së Lartë, që kanë kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të Qynos, çmohen se kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së tij.
Ndërhyrja në lirinë e shprehjes në këtë rast vlerësohet se nuk është proporcionale. sipas Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit, si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po ashtu, çmohet se gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të Qynos.
Bazuar në këto arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të dhjetorit të vitit 2023 për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, si dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi.
Po kështu, është pranuar kërkesa e Qynos për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.
Pretendimi për cenimin e së drejtës për jetë private nuk është trajtuar, për sa kohë është gjetur shkelje në lirinë e shprehjes së Qynos, duke shfuqizuar vendimet e Gjykatave të Posaçme dhe Asaj të Lartë.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, Prokuroria e Posaçme, SPAK sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike. Qyno e kundërshtoi vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurimit personal detyrim për paraqitje për Qynon për veprën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, mbi bazën e një procedimi të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Në janar, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi masën e sigurisë së vendosur nga shkalla e parë.
Top Channel