Avioni që transportonte postën në SHBA rrëzohet pak pas ngritjes në ajër, 3 të vdekur dhe 11 të plagosur (VIDEO) Gjithnjë fushatat zgjedhore shfaqin një gamë të gjerë prezantimi të kandidatëve me metoda nga më të ndryshmet.
Me teknologjinë tashmë të kthyer në një mjet të fuqishëm për promovimin e programeve elektorale e komunikimin me votuesit, kandidatët po zgjerojnë audiencat dhe po rrisin ndërveprimin online. Por kreativiteti i fushatës duket se po kalon edhe në ekstreme.
Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen publike, thirrjet për vota përmes spoteve me të sëmurë e deri në shpërblime financiare në atë që njihet në gjuhën e rrjeteve sociale si giveaway po kritikohet nga ndjekësit digjitalë.
Edona Bilali kandidatja socialiste publikoi sot në Facebook videon e saj të fushatës me një gjysh të shtruar në spital e nipin e shqetësuar, të cilët morën garancinë e doktorit për të jetuar deri në 11 maj për ti dhënë votën shkodranes. Video e cila nuk pati jetëgjatësi e pas një ore u fshi nga platforma sociale.
Po aq spikati ditë më parë kandidatja demokrate, Adriana Kalaja, që ofronte para publikisht për mbështetësit e saj në këmbim të votës, nga 200 deri në 1000 euro.
Videoja e cila u justifikua nga Sali Berisha.
Duket si një fushatë e cila që në nisje ka shkuar deri në shkelje, e sipas kodit zgjedhor parashikohen edhe dënime ligjore. Ndaj lind pyetja: Është kjo një strategji apo pakujdesi e kandidatëve të subjekteve zgjedhore për të rritur profilin politik?
Këto raste tregojnë se qasja e aspirantëve për deputetë në fushatat zgjedhore në Shqipëri shpeshherë kalon kufijtë e konvencionales, duke përdorur metoda të reja që synojnë të fitojnë votën e shqiptarëve, por që reagimi online duket se është i kundërt nga pritshmëritë e tyre, pasi po ngjallin debat mbi etikën dhe efektivitetin e përdorur në diskursin politik.
Top Channel