
Me rritjen e temperaturave, turistët e huaj janë shtuar në Durrës. Ata i sheh kudo, në bregdet, nëpër rrugicat e vjetra të qytetit dhe pranë siteve arkeologjike. Shumë prej tyre e vizitojnë për herë të parë Shqipërinë dhe mbeten të befasuar nga mikpritja, kuzhina dhe natyra.
“Jam e mahnitur. Ishim në Itali dhe nuk e prisja që ushqimi të ishte kaq i shijshëm këtu. Njerëzit janë shumë mikpritës, plazhet dhe moti, i mrekullueshëm dhe ka aq shumë për të parë”, tha një turiste.
“Po kalojmë jashtëzakonisht mirë. Kemi vetëm dy ditë këtu, por gjithçka është mbresëlënëse”, u shpreh një tjetër.
“Vij nga Minnesota dhe vendi juaj është fantastik. Plazhet të mrekullueshme dhe kafja është shumë e shijshme”, pohoi një tjetër turiste.
“Është hera e parë që e vizitojmë dhe na pëlqen shumë. Ushqimi është fantastik dhe gjetjet arkeologjike të mrekullueshme. Jemi nga Parisi”, u shpreh turistja.
Ndërkaq pritshmëritë për pushime ishin të larta dhe për këto turiste italiane, po pavarësisht mikpritjes shqiptare dhe ushqimit të mirë ato tregojnë dhe për zhgënjimin që ua zbehu disi përvojën e këtyre pushimeve.
“Ka shumë pak informacion dhe mungesë organizimi. Nuk kemi internet sepse ju nuk jeni në BE, dhe kursi i euros s’është i qartë dhe spekulohet me të. Përndryshe, ushqimi është i mirë dhe njerëzit shumë të sjellshëm. Por ka nevojë për më shumë pastrim, më shumë kosha dhe më pak zhurma borish në rrugë”, tha turistja.
“Amfiteatri romak është këtu, por s’ka asnjë tabelë për të nga kjo anë. Doja të vizitoja edhe Termat Romake, por nuk munda. Edhe në Tiranë ka shumë ndërtime të reja dhe trafik të ngarkuar”, tha turistja.
Mes entuziazmit dhe ndonjë kritike, turistët përcjellin përvojën e turizmit shqiptar që po bëhet gjithnjë e më ndërkombëtare. Shqipëria ka fituar zemrat e shumë vizitorëve, por për të vazhduar kështu, nevojitet jo vetëm mikpritje, por edhe më shumë vëmendje për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e zonave turistike.
Top Channel