Kaprolli ‘surprizon’ turistët në liqenin piktoresk të Komanit! Shfaqet duke notuar paralelisht me tragetin

21/04/2025 11:15

Një skenë e rrallë ka surprizuar turistët këtë të hënë në liqenin piktoresk të Komanit.

Teksa po shijonin peizazhet magjepsëse, ata u befasuan nga prania e një kaprolli (Capreolus capreolus), i cili po notonte qetësisht në ujërat e liqenit.

Kjo kafshë e rrallë, që zakonisht qëndron larg syrit të njeriut, kishte ndërmarrë një kalim të guximshëm nga një mal në tjetrin, duke përshkuar me not një distancë prej mbi 30 metrash. Pamja u bë edhe më mbresëlënëse kur kaprolli u pa duke notuar paralelisht me tragetin turistik, duke u kthyer në një moment të veçantë për vizitorët.

Kaprolli është një nga kafshët më të rëndësishëm të faunës shqiptare dhe europiane. Ai është një thundrak i vogël, me trup të imët, me ngjyrë kafe në dimër dhe kuqërremtë në verë, që gjendet kryesisht në pyje, lëndina dhe zona kodrinore. Përveç bukurisë së tij natyrore, ai luan një rol kyç në ekosistem duke ndihmuar në kontrollin e bimësisë dhe në ruajtjen e ekuilibrit të zinxhirit ushqimor.

Megjithatë, kaprolli përballet me kërcënime serioze. Shpyllëzimi, ndërtimet pa kriter, zjarret dhe gjuetia e paligjshme po e vënë këtë specie gjithnjë e më shumë në rrezik. Në shumë zona të Ballkanit dhe edhe në Shqipëri, numri i tyre është në rënie, çka e bën vëzhgimin e tij në natyrë një privilegj të rrallë.

Banorët e zonës shprehen se gjatë katër viteve të fundit, kaprollët janë parë më shpesh në zonën e Komanit, veçanërisht gjatë kalimeve të tilla përmes liqenit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta