
Qindra besimtarë ortodoksë janë mbledhur në Kishën e Shën Gjergjit në qytetin e Fierit për të ndjekur meshën e Ngjalljes së Krishtit.
Mesha u mbajt nga Hirësia e Tij, Nikolla, dhe ishte e përkushtuar ndaj Ringjalljes së Krishtit – një nga festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks.
Besimtarët janë afruar për të marrë flakën e shenjtë, e cila simbolizon dritën hyjnore. Sipas traditës, kjo flakë merret nga çdo familje për të ndriçuar rrugën drejt jetës dhe mirësisë. Me llamba të zbukuruara, flaka e shenjtë merret nga kandili i pashuar i Tryezës së Shenjtë – që përfaqëson varrin e Krishtit të ringjallur – dhe sillet në shtëpi, ku besimtarët bëjnë shenjën e kryqit në pragun e derës dhe e ruajnë për 40 ditë.
Një tjetër simbol i rëndësishëm i Pashkës janë vezët e kuqe. Ngjyra e kuqe përfaqëson gjakun e Krishtit, ndërsa përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit të Ferrit përmes Ngjalljes. Vezët përfaqësojnë gjithashtu lindjen e jetës nga guacka e vdekjes.
Pas procesionit të mesnatës, besimtarët janë lutur për paqe dhe mirësi shpirtërore. Urimi tradicional “Gëzuar Pashkët – Krishti u ngjall!” ka jehuar në mjediset e kishës dhe më gjerë, duke bashkuar jo vetëm ortodoksët, por të gjithë besimtarët në këtë ditë të ndritur.
Top Channel