“Të ndalim dimrin demografik”/ Mesazhi i Arkipeshkvit Arjan Dodaj për besimtarët për festën e Pashkës

19/04/2025 15:05

Në vigjilje të Pashkës, Kryepeshkvi i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, dha mesazhin e tij duke kërkuar më tepër mbështetje për çiftet e reja, për të ndaluar emigrimin e shqiptarëve.

Ai tha se është koha që të gjithë ne duhet të promovojmë njeriun që jeton dhe punon me ndershmëri.

“Në këtë vit jubilar është më e fortë ftesa për t’u kthyer nga Zoti. Shpeshherë njeriu, i bërë për gjërat e bukura, angazhohet dhe lodhet për bukuri kalimtare që jo rrallëherë bëhen fasadë dhe zhgënjejnë. Kemi nevojë për bukuritë që gjenerojnë të ardhmen, siç është familja, veçanërisht tek çiftet e reja, sepse pa çiftet e reja do të thellohet më tej dimri demografik.”

Sipas kreut të Kishës Katolike për Shqipërinë, drita e Pashkëve duhet të ndriçojë njerëzimin drejt një rruge të drejtë, duke qëndruar larg kompromiseve individuale.

“Këtu kemi nevojë për njerëz dritëlarg që nuk mbyllen tek interesi i momentit, sikurse fatkeqësisht jemi të detyruar të veprojmë në shumë fusha. Të bëhemi bashkë për të promovuar kulturën e punës së ndershme.”

Pashka duhet të jetë një ditë ringjalljeje e shpresës, dashurisë dhe mirësisë për një jetë më të begatë.

“Vëllezër e motra, Krishti është ringjallur, le të ringjallim edhe ne shpresën për një të ardhme më me plot jetë. Gëzuar për më shumë mot Pashkën!”

Top Channel