SHBA “goditja” e radhës ndaj Ukrainës, Bloomeberg: E gatshme të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë!

19/04/2025 13:46

SHBA është e gatshme të njohë kontrollin rus mbi rajonin ukrainas të Krimesë.

Lajmin e përcjell media e njohur amerikane Bloomberg, e cila citon burime të pohojnë se Uashingtoni është i hapur ndaj një lëvizjeje të tillë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje mes Moskës dhe Kievit.

Sipas të njëjtave burime megjithatë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar mbi këtë çështje. E konsideruar dikur xhevahiri i kurorës së Perandorisë Ruse, Krimeja me rëndësi strategjike në Detin e Zi ka një histori të gjatë, përfshirë qëndresën ndaj nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1954, lidershipi i Bashkimit Sovjetik i transferoi Krimenë Ukrainës, duke e arsyetuar këtë lëvizje me lidhjet e ngushta mes tyre. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991, Kievi  vazhdoi të ushtronte sovranitet mbi territorin si Republika Autonome e Krimesë.

Rusia nuk e kundërshtoi administrimin ukrainas të Krimesë për më shumë se dy dekada, megjithatë kjo gjë ndryshoi marsin e vitit 2014, kur Vladimir Putin vendosi aneksimin e gadishullit.

Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky fillimisht u tregua i kujdesshëm në mënyrën se si i shprehte publikisht ambiciet për këtë territor bregdetar.

Por me kalimin e kohës dhe me fitoret gjithnjë e më të mëdha të trupave ukrainase në fushëbetejë, qëndrimi i tij u bë më i qartë: Krimea është sipas tij pjesë e Ukrainës dhe forcat e armatosura do ta rimarrin atë.

Top Channel