Rama për kandidaten nga komuniteti rom: Nëse s’do jetë në Kuvend, do jetë në qeveri

19/04/2025 20:53

Një përfaqësuese e komunitetit rom mund të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Edi Ramës, nëse ky i fundit fiton zgjedhjet e 11 Majit. Këtë e bëri të ditur vetë kryesocialisti Rama, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Korçë.

“Një vajzë nga Delvina, e cila përfaqëson vajzat e margjinalizuara, por që jo vetëm mund të jetë një zë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë por që edhe nëse nuk do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhshëm”, tha Rama.

Rama vlerësoi rolin e gruas në shoqëri e politikë, teksa theksoi se edhe nisma për mbylljen e Tik Tok nuk do të arrihej pa to.

“E kam thënë dhe herë tjetër, nuk e di nëse ne do arrinim ta mbyllnim Tik-Tok nëse nuk do të kishim mbështetjen absolute të grave dhe nëse do ishte vetëm muhabet burrash kam frikë se nuk do kishte kaq shumë mbështetje mbyllja dhe marrja në mbrojtje e fëmijeve nga kanosja që i bën Tik-Tok”.

Por, kryesocialiste nuk kurseu as batutat me gratë e vajzat, të cilave ju kërkoi të mos bëjnë krushqi me opozitën.

“Krushqia me çdo demokrat bazohet tek ‘je me me BE-në apo je me kënetën”. Nëse je me BE-në, të trashëgoheni! Nëse je me kënetën, nuk ka vajzë për ty! Rrofshin gratë e Korçës, Pogradecit, Maliqit, Pustecit, Devollit dhe të Kolonjës”.

Top Channel